Shtëpia e familjes Hereni
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2015-2016
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2019-2020
Historiku
Shtëpia e Xhemajl Herenit gjendet në pjesën perëndimore të qytetit, në lagjen e “Terzive”, në zonën mbrojtëse. Pjesa ballore është e orientuar nga lindja. Shtëpia është e vendosur në kryqëzimin e rrugës kryesore dhe anësore. Në afërsi të saj gjendet Xhamia e Terzi-Mëhallës, Medreseja “Alaud-din” dhe disa shtëpi tradicionale. Shtëpia është ndërtuar në shekullin XIX. Themelet dhe një pjesë e katit përdhese janë të ndërtuara prej gurësh, ndërsa muret prej qerpiçëve. Konstruksioni i meskatit është i punuar prej druri. Kulmi është katërujor, i mbuluar me tjegulla tradicionale të luguara, ku gjendet edhe baxha. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Dyert kanë doreza dhe janë të punuara prej hekuri. Shtëpia ka planimetri katërkëndëshe. Është dykatëshe e tipit me çardak të hapur në tërë ballin e shtëpisë, të punuar nga druri. Shtëpia është e kthyer kah oborri. Qasja në shtëpi realizohet nga rruga me anë të derës hyrëse prej druri. Hyrja në shtëpi realizohet nga hajati i hapur, i cili mbahet me shtylla. Në katin përdhese gjenden dy dhoma, hajati dhe shkallët për kat. Në kat gjenden dy dhoma dhe çardaku. Tavanet në çardak dhe dhomat janë të punuara prej dërrasave dhe listellave shishe-tavane. Në njërën dhomë tavani ka rozën në formë të tetëkëndëshit. Në shtëpi janë bërë disa meremetime që e kanë ndryshuar pamjen origjinale të saj. Në kuadër të shtëpisë gjendet oborri dhe mutfaku. Sot shtëpia akoma është e banueshme. Ajo ka vlera historike dhe arkitektonike. Është monument i rrallë i tipit me çardak në tërë Kosovën.