Hyrje
Trashëgimia kulturore e Republikës së Kosovës është shprehje dhe krijimtari e realiteteve jetësore të zhvilluara në harkun kohor mbi tetë mijë vite, që nga parahistoria në vijim deri më sot. Kjo trashëgimi e pasur shprehet me shumëllojshmërinë e trashëgimisë materiale dhe asaj shpirtërore.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk kufizohet vetëm në ndërhyrjet fizike, por përfshinë një proces kompleks të konsolidimit të bazës ligjore dhe institucionale, qasje e integruar ndaj ruajtjes, mbrojtjes dhe prezantimit përmes parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe vetëdijesimin e edukimin për rolin dhe domëthënien e saj për brezat e rinj.
Identifikimi, dokumentimi dhe përcaktimi i vlerave të trashëgimisë kulturore paraqet bazën për përcaktim të statusit të mbrojtur të kësaj trashëgimie. Dokumentimi i trashëgimisë kulturore mundëson vlerësimin dhe përcaktimin e rëndësisë së trashëgimisë kulturore, krijimin e bazës udhëzuese për hapat e konservimit, krijimin e mekanizmave për monitorimin dhe menaxhimin e të dhënave rreth trashëgimisë, dhe komunikimin e prezantimin e karakterit dhe rëndësisë së trashëgimisë kulturore për publikun e gjerë.
Databaza e trashëgimisë kulturore paraqet mjetin kryesor për regjistrim, dokumentim, klasifkimim dhe vlerësim të trashëgimisë kulturore. Përtej kësaj, kjo databazë është një mjet nëpërmjet të cilit këto informata mund të prezantohen dhe komunikohen me publikun, duke kontribuar kështu në edukimin e publikut rreth këtyre vlerave.
Nëpërmjet qasjes në këtë databazë, qytetarët mund të informohen rreth trashëgimisë së shumëllojshme të Kosovës, duke filluar nga lokalitetet arkeologjike, monumentet e tërësitë arkitekturore, objektet e luajtshme, trashëgimia kulturore shpirtërore, dhe peizazhet kulturore.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e konfirmon përkushtimin drejt arritjes së këtij obligimi ligjor dhe objektivit në shërbim të përmirësimit dhe avancimit të sistemit të dokumentimit dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore..
Avancimi i kësaj databaze mëton krijimin e një sistemi të integruar të mbrojtjes dhe prezantimit të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës, duke krijuar ndërlidhje të ngushtë me politikat e zhvillimit të qëndrueshëm hapësinor, shoqëror e ekonomik.