Xhamia në Meshinë
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2006
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10. 2014
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2021
Historiku
Në fshatin Meshinë, komuna e Dardanës, gjendet xhamia e fshatit Meshinë. Është ndërtuar në vitin 1886. Xhamia ka bazë drejtkëndëshe, të mbuluar me kulm katërujor. I ka dy etazhe. Karakterizohet me minaren nga druri, që konsiderohet si shembull i rrallë dhe unik në rajon. Ndërtesa ka tetë dritare, me korniza druri. Dera hyrëse është metalike dhe është vendosur më vonë. Sallës së lutjeve i prinë hajati, në të cilin ndodhen shkallët për të hipur në mahvil, nga i cili hyhet në minaren e drurit nëpërmjet një deriçke. Mahvili dallon nga mahvilat në xhamitë e tjera: shtrihet në formë “U”-je mbi sallën e lutjes, dhe në anën perëndimore përfundon pa u bashkuar me minberin. Muret e hajatit janë të dekoruara me vijëza me ngjyrë blu dhe ngjyrë kafe, ndërsa pjesa e poshtme e murit vetëm me kafe. Në anën e sipërme të mureve, mbi dekorimin me ngjyra ndodhen simbolet e islamit: ylli gjashtëcepash me gjysmëhënën. Salla e lutjeve ka sipërfaqe 7. 40 m x 10.60 m. Gjerësia e mureve është 85 cm. Suvaja e mureve të sallës së lutjeve është ngjyrë jeshile e çelur, kurse korniza në pjesën e sipërme të murit është shirit në formë frizi. Mihrabi dhe minberi janë punuar thjeshtë prej druri. Mahvili qëndron vetëm në një shtyllë, ndërsa anash është i mbështetur në muret anësore. Parapeti i mahvilit është stilizuar bukur në formë halash peshku. Kjo xhami është në gjendje mjaft të keqe, sidomos muret dhe minarja prej druri. Opinion nga ekipi i QRTK-së, Gjilan, me rastin e vizitës në nëntor të vitit 2021: xhamia në fshatin Meshinë, duhet të jetë në LTKMP. Përveç vlerave historike e shpirtërore që bartë në vete, xhamia ka një arkitekturë të rrallë të punimit të minares e cila është prej druri, dhe si e tillë haset vetëm në këtë xhami.