Kisha paleokristiane në Nikadin
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Evidentuar Data e Mbrojtjes: 2007
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011-2012
Historiku
Fshati Nikadin, tashmë pothuajse paralagje e qytetit të Ferizajt, gjendet vetëm 2 kilometra në jug të saj, i pozicionuar në një tokë shumë të plleshme bujqësore. Gjatë viteve gjashtëdhjetë të shekullit XX, janë evidentuar gjurmë sipërfaqësore të mbase ndonjë kompleksi të vilave romake. Megjithatë, gjatë rregullimit të oborrit të një shtëpie në arealin e këtij lokacioni, rastësisht u zbulua një artefakt shumë i rrallë dhe mbase unik për trevën e Kosovës. Kemi të bëjmë me një kapak sarkofagu-(sarcophagus - arkivol apo arkë për vendosjen e kufomës), tërësisht nga guri gëlqeror i mermerizuar në trajtë të çatisë së shtëpisë, ku dominojnë dekoret me motive antropomorfe (figurë njeriu) në akse dhe motive floreale në front. Ky kapak sarkofagu i përket periudhës romake fundi I shekullit III e.s. fillimi i shekullit të IV e.s. Në vendin ku është gjetur kapaku i sarkofagut, janë zhvilluar disa sondazhe arkeologjike (2007) që rezultuan me gjurmë të një kishe me përmasa jo të mëdha ndonëse mjaft e dëmtuar, e periudhës së krishterimit të hershëm (shekujt IV-VII e.s.), e plotësuar me disa spolje (material i ripërdorur) të plastikës dekorative sepulkrale të periudhës romake (shekujt III-IV e.s.).