Mulliri i Hakiut në Verbicë të Zhegocit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2021
Historiku
Mulliri ndodhet në rrjedhën e lumit të Verbicës, i cili derdhet në lumin Sitnicë afër Lipjanit. Më saktë, ndodhet në lagjen e “Bislimajve”, pasi që fshati Verbicë është i ndarë në lagje të shpërndara, larg njëra-tjetrës. Mullirin e kishte ndërtuar Zejnullah Deliu, babai i pronarit të sotëm, Haki Deliut, në vitin 1925. Mulliri ka vetëm një kat. Është i ndërtuar me gurë të parregullt të lidhur me llaç, dritare me kornizë druri, dhe kulm me konstruksion druri të mbuluar me tjegulla të vjetra-qeramidhe. Mulliri ka vetëm një kthinë dhe një gur për bluarje. Në këtë mulli, përpos verbicasve, kanë bluar edhe banorë të fshatrave të tjera. Pas vitit 1990, mullirit i është shembur kulmi katërujor, i cili është zëvendësuar më vonë nga pronari me kulm dyujor. Gjatë luftës së vitit 1999 mulliri shërbeu për nevoja të banorëve dhe UÇK-së. Familja Deliu traditën e bluarjes e vazhdon edhe sot, bile ruan një mulli dore që e kishin përdorur qysh para ndërtimit të mullirit. Sot, mulliri njihet si Mulliri i Hakiut, djalit të Zejnullah Deliut. Opinion nga ekipi i QRTK-së, Gjilan, me rastin e vizitës në nëntor të vitit 2021: objekti në fjalë duhet të mbetet patjetër pjesë e LTKMP. Sepse paraqet vlerë kulturore, tradicionale, pjesë e pandashme e familjes shqiptare. Objektit i duhet një intervenim i shpejtë, sepse është dëmtuar në masë të madhe dhe mund të rrënohet për një kohë të shkurtër.