Lokaliteti Arkeologjik Neolitik në Varosh
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011-2016
Historiku
Lokaliteti neolitik i identifikuar i Varoshit ndodhet në komunën e Ferizajt, gjegjësisht vetëm 2 km në jug, juglindje të këtij qyteti, në fshatin me po të njëjtin emër. Bazuar në materialin e lëvizshëm arkeologjik, kryesisht zbuluar rastësisht gjatë punimeve bujqësore, në këtë lokalitet dëshmohen gjurmët e një vendbanimi të hapur tipik neolitik të dy kulturave, të Starçevës dhe të Vinçës. Indikacione për strukturat e nëndheshme apo gjurmë të “banesave” neolitike u zbuluan me rastin e disa incizimeve gjeofizike të vitit 2011. Aty rastësisht është zbuluar figurina nga argjila “Hyjnesha e Varoshit”, Idol antropomorf i periudhës së hershme neolitike, mijëvjeçari VII – V. Gërmimet e sondazhit në lokalitetin e Varoshit filluan me 21.04.2015 me ç’rast u hap një sondë me dimension 4 x 4 m. Shtresat stratigrafike janë pothuajse te gjitha te pasura me material arkeologjik, fragmente qeramike , fragmente të figurinave antropomorfe dhe zoomorfe.