Shtëpia e familjes Spasiç

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015



Historiku


Shtëpia e familjes Spasiç gjendet në qendër të fshatit Hoçë e Madhe, rreth 5 km në lindje të Rahovecit. Shtëpia është ndërtuar nga Sima dhe Spasa Nedeljkoviç gjatë viteve 1830-1835, të cilët pas ndërtimit të shtëpisë kanë shkuar në pelegrinazh në Jerusalem, duke e fituar titullin Haxhi. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot, shtëpia ka mbetur në pronësi të së njëjtës familje duke u shfrytëzuar për banim. Ndërtesa ka planimetri drejtkëndëshe, e ndërtuar në përdhese dhe kat. Përdhesja përmban hajatin, një dhomë, kuzhinën dhe banjën. Qasja në kat bëhet nëpërmjet shkallëve të drurit nga hajati. Kati përmban çardakun, i cili luan edhe rolin e parahyrëses në dy dhoma dhe banjë. Fasada anësore e kufizon kompleksin e shtëpisë me rrugën në anën lindore. Element karakteristik në këtë fasadë është konzolla, e cila del nga perimetri i katit, duke krijuar efekt të dritëhijes në sipërfaqen lineare. Fasada ballore është e orientuar kah jugu dhe ka pamje kah oborri. Elementet karakteristike në këtë fasadë janë tri dritare të vendosura në varg, dhe çardaku në këndin juglindor, i kufizuar me gardh druri. Muret në përdhese janë ndërtuar nga gurë vendorë të lidhura me llaç gëlqeror, kurse në kat nga qerpiçi të përforcuar me trarë druri në sistemin “bondruk”. Kulmi është katërujor, i mbuluar me tjegulla nga argjila. Në enterier të shtëpisë janë ruajtur elementet origjinale që karakterizohen me një nivel të lartë të drugdhendjes. Nga elementet në enterier vlejnë të theksohen shtyllat e drurit me kapitel të dekoruara në forma harkore, kapakët e dyerve të dekoruara me motive gjeometrike, "shishe tavanet, qymlekllëku – oxhaku dhe ikonostasi me ikonën familjare e sjellë nga haxhillëku në Jerusalem, së bashku me reliktet familjare. Në pjesën jugore të shtëpisë shtrihet oborri i rrethuar me mur, që e ndanë hapësirën e shtëpisë nga rruga kah ana juglindore. Oborri është shtruar me gurë lumi– kalldrëm, ku krahas shtëpisë gjenden dy hapësira ekonomike dhe pjesa për vendosjen e drurëve. Në vitin 2010 është shndërruar në shtëpi-bujtinë me shërbimin për fjetje dhe mëngjes. Fasadat e theksuara, kati i sipërm me elemente të konzollës, porta e madhe me dyer të veçanta për këmbësorë dhe automjete, enterieri i dekoruar me elemente të drugdhendjes dhe rrasat e gurit së bashku krijojnë karakteristikat kryesore të këtij shembulli të arkitekturës tradicionale të banimit, të ruajtur deri sot.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 003413


Emri: Shtëpia e familjes Spasiç


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Rahovec


Qyteti/Fshati: Hoçë e Madhe


Lokaliteti: Afër qendrës


Kodi Postar: 21000


Emri i rrugës:



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XIX