Tyrbja e Baba Hasanit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Tyrbja e Dervish Hasanit, e cila në popull njihet si tyrbja e Baba Hasanit, gjendet në fshatin Krushë e Vogël, pranë magjistrales Prizren – Gjakovë, komuna e Prizrenit, me pjesën ballore të orientuar kah lindje-perëndimi. Është e vendosur në skaj të rrugës dhe e rrethuar me rrethoja hekuri. Ndërlidhet me oborrin ku gjenden: lisi shumëshekullor i dushkut, çezma dhe varret. Tyrbja është në formë të tetëkëndëshit. Në të është i varrosur Dervish Hasani, dervish i radhës Halveti, bashkëkohës i sheh Sylejmanit, themeluesit të Teqesë së Madhe të Halvetive në Rahovec. Ka jetuar prej gjysmës së dytë të shekullit XVII deri kah gjysma e parë e shekullit XVIII. Ka shkruar në gjuhën shqipe me alfabet arab. Në tyrbe gjenden tespihet si dhe teksti i shkruar dhe i vendosur në mur kushtuar personalitetit të Dervish Hasanit, i hartuar më datën 11.10.2002 nga sheh Besim Shehu, sheh i Teqesë Halveti të Rahovecit. Tyrben e vizitojnë sidomos të sëmurët mentalë, gratë që nuk lindin, të sëmurët nga astma, reuma etj. Gjatë vizitës në tyrbe, i sëmuri sillet tri herë rreth kuburit të Dervish Hasanit. Të sëmurin tri herë e përshkojnë me tespihet e shenjtorit. Nëse shërohet, ai vjen përsëri dhe sjellë monedha, peshqirë, këmisha, qirinj etj. Sot tyrbja është në gjendje të mirë dhe akoma vizitohet nga banorët e Kosovës, të cilët vijnë çdo ditë, e sidomos në prag të Shëngjergjit, më 5 maj.