Kulla e Xhafer Sylës
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 973/2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Historiku
Kulla e Ukë Januz Syles, Istog i ulët. Istog Në mesin e pesë kullave që dikur ekzistonin në fshatin Istog i ulët, dhe që i ka mbijetuar kohës gjer në ditët e sotme, është Kulla e Ukë Januz Sylaj. Në kohën e ndërtimit në shek XIX ky monument shquhej për bukurinë dhe arkitekturën tipike. E realizuar nga mjeshtër të shquar te traditës sonë kombëtare, kulla është ndërtuar nga materiali i kombinuar, si guri, druri dhe llaçi gëlqeror vazhdues ( sipas teknikës rustika). Objekti kishte dyer dhe dritare në formë harkore me profile guri të latuar, mirëpo kohësisht më vonë disa dritare ndërruan formë dhe madhësi për shkak të nevojave të ndriçimit të mjediseve të jetesës. Kulmi është realizuar me konstruksion të drurit , mbuluar me tjegulla tradicionale. Kulla e Xhafer Sylës ka shtrirje kompozicionale në tre etazhe. Planimetria e saj është në formë drejtkëndore me dimensione 8.65 m x 10.50 m. Qasja në monument realizohet përmes derës së drurit me kornizë harkore të dyfishtë nga guri i latuar. Përdhesa përbëhej prej dy pjesëve. Në njërën anë ishte dhoma e zjarrit, që përmbante oxhakun, magjen e bukës dhe elementet tjera për përgatitjen e ushqimit për familjarët dhe mysafirët e kullës. Dhe në anën tjetër mjedisi përmbante ahurin e kafshëve, përfshirë këtu edhe korridorin dhe shkallët e drurit që të dërgojnë në kate. Lidhmëria me katin e parë bëhej edhe përmes shkallëve të jashtme të drurit (që sot nuk ekzistojnë) të cilat përmes derës me profil harkor nga guri që gjendej në kat, krijonin komunikimin e mysafirëve me odën e burrave. Këto shkallë gjendeshin në fasadën përballë rrugës kryesore të fshatit. Skema e organizimit të katit të parë përmban korridorin dhe tre dhoma fjetjeje (qilarë) të cilat posedonin edhe hamamxhikë. Dhomat ndriçoheshin me dritare pak më të mëdha se frëngjitë. Ndërkaq kati i tretë kishte oden e burrave, divanhanen, dyshekllëkun,avdeshanen me gurë mermeri dhe nyjën sanitare e cila ishte e dalë në formë konsole nga muret e fasadës. Oda e burrave krahas oxhakut që qëndronte në ballë, posedonte edhe dollapët, dy cergat, dhe elementet tjera funksionale. Në fund të mjedisit në anën e majtë të hyrjes, ishin ormanët e dekoruar të drurit, në të cilin vendosej shtroja dhe mbuloja për mysafirët. Karakteristikë e kullës është se dritaret dyshekllëku, por edhe frëngjitë në të tri anët e kullës,ishin të ndërtuara me gurë dekorativ, të nxjerr nga nën toka e Banjës së Pejës, Monumentin nuk e karakterizojnë transformime të theksuara, me përjashtim të dritareve të cilat kanë pësuar ndryshime nëpër kohë. Krahas veçantive arkitekturore kulla ka edhe rendësin e saj historike. Pos që kishte shërbyer për banim te familjes së Ukë Januzit dhe pasardhësve të tij, në të janë mbajt takime të shumta të kësaj ane, ku janë trajtuar çështje të ndryshme dhe janë arritur marrëveshje kanunore nga popullata e kësaj ane. Menjëherë pas luftës së Dytë Botërore, ka shërbyer për organizimin e kurseve të ndryshme për zhdukjen e analfabetizmit, kurseve për arsimimin e femrave shqiptare etj. Ndërsa në vitet 90- të shekullit të kaluar, kjo kullë pati hapur dyert e saj edhe për mësimin shqip (meqë siç dihet pushteti okupues serb pat larguar nxënësit dhe mësuesit shqiptarë nga objektet e tyre shkollore). Objekti përgjatë historisë shërbeu edhe si fortesë ndaj rrethimeve të ndryshme serbe, gjer në ditën e djegies së saj nga forcat serbe, në pranverën e vitit 1999. Dëmet e pushtuesit serb ngelën edhe në portën hyrëse, ku shihen qarte gjurmët e sëpatave nga një rrethim serb. Si rrjedhojë kullës i shpëtuan vetëm muret. Megjithatë pas luftës MKRS ka bërë ndërhyrje emergjente të pjesshme në restaurimin e saj. Si rikonstruktimi i mureve, kulmit dhe pjesëve tjera të rëndësishme me qëllim shpëtimi. Në të kaluarën pjesë e tërësisë së kullës ishte edhe godina dykatëshe prej guri,me qilarët që përfundonin me çardakun e madh, e që në katin përdhese kishte ahurin e gjatë. Ky aneks i kullës ka kohë që i ka ngelur historisë dhe jeton vetëm në fotot e ruajtura, meqenëse është rrënuar.