Kulla e Hasan Rexhë Salihaj

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012



Historiku


Kulla e Hasan Rexhë Salihajt, Shushicë- Istog Kulla e Hasan Rexhës gjendet në fshatin Shushicë të Komunës së Istogut. Është ndërtuar përgjatë periudhës kohore 1898-1900. Objekti është karakteristik dhe bën pjesë në mesin e katër kullave të këtij tipi në Kosovë që janë të ngritura mbi bazë katërkëndëshe me dy brinjë më të gjata. Kulla dykatëshe (sipas njësimit popullor) kishte funksion të banimit dhe i takon tipit të kullave me dyshekllëk në kënd që zhvillohet në rrafsh me faqet e murit me trajtim të posaçëm estetik. Strukturimi funksional e hapësinor i kullës është konceptuar si dy hapësinor, në katin përdhese në njërën anë, dhe nga ana tjetër shtëpia e zjarrit me qasje të veçantë, ku gjendej ahuri njëhapësinor vetëm me një shtyllë në mes, përmes të cilit kalohet sipër në divanhane, që lidhej me odë të burrave. Qilarët kishin qasjen e veçantë nga ana e shtëpisë së zjarrit. Kulla u ndërtua nga mjeshtrit dibranë, të cilët si material ndërtimor përdorën gurët lumorë të latuar në kënde të kullës dhe tek dyshekllëku e hapjet. Kulmi është katërujor i mbuluar me tjegulla tradicionale. Në aspektin e trajtimit të dukjeve kulla shquhet për trajtimin e barabartë të dy faqeve, asaj anësore dhe një dukjeje gjatësore. Të dyja karakterizohen me prezencën e dyshekllëkut në këndin e epërm dhe me hapjet e dyerve me dy harqe. Kulla shquhet për hapje të vogla harkore, tipike për kulla. Kulla përpos vlerave arkitekturore, kishte rëndësi të veçantë edhe në aspektin historik, duke qenë vendtakim i figurave të shquara atdhetare. Posaçërisht ishte çerdhe e Azem Bejtës me ushtarët e tij. Po ashtu ishte vendstrehim për popullatën e Drenicës. Në vitin 1957 kulla u shndërrua në shkollë për nxënësit shqiptarë. Në periudha të mëvonshme kulla ka pësuar ndërhyrje në konstruksion me beton të armuar dhe ka humbur një pjesë të identitetit, por pas restaurimit të bërë nga MKRS-ja, i cili ka përfunduar në vitin 2014, i është kthyer pamja origjinale. Aktualisht shfrytëzohet nga pronarët.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 003210


Emri: Kulla e Hasan Rexhë Salihaj


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Pejë



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Istog


Qyteti/Fshati: Fshati Shushic


Lokaliteti: Shushicë


Kodi Postar: 31000


Emri i rrugës: Dëshmorët Salihaj



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Moderne


Shekulli: XIX