Kulla e Muhamet Dervish Qekaj
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Historiku
Kulla e Muhamet Dervish Çekaj- fshati Irzniq –Deçan Në fshatin Irzniq të Deçanit gjendet Kulla trekatëshe e gurit (sipas njehsimit popullor) e Muhamet Dervish Çekaj e ndërtuar në fillim të shek. XIX. Kulla si ndërtim kompleks i arkitekturës së banimit rural, me shumë ambiente e funksione të ndryshme ka vlerë të shumëfishtë jo vetëm arkitekturore por edhe etnologjike, kulturore, artistike dhe historike. Si arkitekturë ndërtimi i takon tipit të kullave me dyshekllëk guri të dalë në dy anët e kullës. Objekti është ndërtuar me gurë të latuar, gjysmë të latuar, llaç gëlqeror dhe hatulla druri. Kishte dritare gjysmë harkore të latuara nga guri dhe çati të thjeshtë katërujore me konstruksion druri, mbuluar me tjegulla tradicionale. Për nga pikëpamja funksionale kulla kishte tri nivele me funksione sipas radhës. Baza e katit përdhesë përbëhej prej hapësirës njëpjesëshe, e cila kryesisht përdorej si ahur i kafshëve dhe depo për ushqimin e kafshëve. Lidhja me kat bëhej përmes shkallëve të drurit, të cilat të shpinin në korridorin e katit të parë. Planimetria e katit të parë përbëhej nga korridori, shtëpia e zjarrit dhe dy dhoma të vogla fjetjeje. Edhe me katin e sipërm komunikohej përmes shkallëve të brendshme të drurit. Sikundër edhe kullat tjera të tipit të njëjtë kati i sipërm kishte këtë shtrirje kompozicionale. Korridorin e vogël, oden e burrave, divahanen me dyshekllëk dhe një dhomë fjetje. Kulla si ndërtim përgjatë kohës ka pësuar transformim në elementet e saja arkitektonike-konstruktive. Gjatë luftës së fundit është djegur tërësisht nga forcat serbe. Mirëpo pas luftës falë mbështetjes financiare të Ministrisë për Kulturë Rini e Sport objekti është restauruar. Objekti aktualisht shfrytëzohet për banim. Prezenca e kësaj kulle paraqet realitetin ekzistues të një thesari të pasur të së kaluarës.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 003167
Emri: Kulla e Muhamet Dervish Qekaj
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Pejë
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Deçan
Qyteti/Fshati: Fshati Irzniq
Lokaliteti: Irzniq
Kodi Postar: 51000
Emri i rrugës: Rr. Mullah Metaj nr.3
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi): Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XIX
Të rejat nga trashëgimia
Kulla e Demë Ali Pozharit
Kulla e Shaban Gjukaj
Kulla e Brahim Hoxhës
Kulla e Zymer Himës
Kulla e Lah Selmanit