Kompleksi i Çarshisë së vjetër në Prishtinë me Çarshi Xhaminë, Xhaminë e Jashar Pashës, Shatërvanin e Vjetër, Sahat Kullën dhe Muzeun e Kosovës
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Tjetër Data e Mbrojtjes: 02/278/1967
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2013
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2016
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2017-2019
Historiku
Ky kompleks përfshin një grup të ndërtesave urbane të ndërtuara prej shek. XIV deri në shek. XIX. Të gjitha këto ndërtesa janë të vendosura në bërthamën e zonës historike të qytetit të Prishtinës, zonë kjo ndër të vetmet pjesë të strukturës urbane që ka vlera autoktone dhe mjedisore të trashëgimisë kulturore. Rëndësia e Prishtinës, sipas saj, ndërlidhet pikërisht me Qendrën Historike si qendër e zhvilluar urbane shumë funksionale, me atribute të jetës shoqërore, ekonomike, edukative, politike dhe kulturore. Rëndësia e Qendrës Historike qëndronte në çarshinë e qytetit që shtrihej mu në pjesën qëndrore të saj, si dhe dy indet urbane që kalonin mes përmes kësaj zone, 'divanjolli' dhe indi lindjeperëndim. “Më 1662 Prishtina veç posedonte zonë tregtare të mbuluar, kishte çarshinë dhe hamamin si dhe 11 hane dhe rreth 300 dyqane”.12 Zhvillimi i hovshëm i Prishtinës vazhdoi edhe më tej, duke e marrë primatin e kryeqendrës si dhe atë të qytetit më të madh prej Selanikut e gjer në Sarajevë. Mirëpo, ajo që e bën të njihet jo për të mirë është trajtimi i saj politik dhe kulturor ndër dekada. Në Prishtinë u aplikuan metodologji shkatërruese dhe degraduese, duke filluar nga misioni për të sjellë modernen nën moton "Ta rrënojmë të vjetrën, ta ndërtojmë të renë", e duke vazhduar me shkatërrimet e vazhdueshme të cilat vazhdojnë të ndodhin edhe sot. Çarshia si qendër kulturore, shoqërore, zejtare, tregtare dhe administrative e qytetit u shkatërrua me qëllimin e ndërtimit të zonës së re administrative, duke humbur në këtë mënyrë karakteristikat historike dhe mjedisore të pjesës qëndrore të qytetit. Mbetjet nga kjo valë shkatërrimesh konsistojnë në tri xhamitë brenda kufijve të dikurshëm të zonës historike, hamamet, sahat kullën, shtëpitë individuale dhe objekte të tjera të karakterit publik.