Manastiri i Kryeëngjujve

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Tjetër Data e Mbrojtjes: 464/48


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2008


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012



Historiku


Në grykën e Lumbardhit, 2.5 km në jug-lindje të Prizrenit, gjenden gërmadhat e Manastirit të Shën Arhangjelit (Kryeengjujve) të cilin e ndërtoi Stefan Dushan Nemanja më 1343, dhe gërmadhat e një fortese në majën e kodrës pranë saj, që shërbente për mbrojtje. Kompleksi përbëhet prej Qytetit të Ulët, të quajtur në popull si qyteti i Dushanit, dhe Qytetit të Epërm të njohur si Kështjella e Epërme. Qyteti i Poshtëm, pra kompleksi i Manastirit – në bazë të gjurmëve ekzistuese ka qenë një kompleks i ndërtesave, të vendosura brenda murit mbrojtës që ka rrethuar qytetin nga të gjitha anët. Në këtë kompleks ndër të tjera janë edhe: Kisha e Kryeengjëjve (Mëhill dhe Gabriel) me varrin e mbretit e cila është ndërtuar mbi themelet e një kishe Paleokristiane; kapela, e cila është e ngjashme me kishën e Kryeengjëjve, por me përmasa më të vogla e cila ka qenë e ndërtuar para saj; tryezaria me kuzhinë; konakët e ndryshëm, etj. Qyteti i Epërm, pra Kështjella – është e vendosur në kodër në lartësi prej 120m mbi kompleksin e Manastirit të Kryeengjëjve. Planimetria e saj është në formë të parregullt pasi që i është përshtatur konfiguracionit të terrenit. Edhe pse nuk është e studiuar mirë supozohet se ka pasur katër ose pesë kulla. Brenda saj janë rrënojat e kishës së Shën Kollit (Nikollës), cisterna për ujë dhe mbetjet e objekteve të ndryshme. Në kohën e ndërtimit të kompleksit të manastirit, janë ndërtuar edhe muret mbrojtëse shtesë që e kanë lidhur Qytetin e Ulët me Qytetin e Epërm. Në këtë mënyrë është krijuar një tërësi e fortifikuar. Hulumtimet e para në këtë kompleks (manastir) janë bërë në vitin 1927. Pas kësaj pasuan punët kërkimore dhe konservuese më voluminoze në periudhën prej vitit 1961 deri në vitin 1965. Hulumtimet e mëtejshme arkeologjike janë bërë gjatë viteve 1992-1995, që kanë pasur edhe karakter mbrojtës. Nga këto janë vërtetuar se kompleksi i Manastirit nuk është një lokalitet që i përket vetëm periudhës së Mesjetës së Vonë, por është një lokalitet shumështresor, me një diapazon të gjerë kronologjik të gjetjeve nga periudha e Eneolitit, periudha e Hekurit të vonshëm, periudha e Antikës së vonë dhe Mesjeta e hershme. Gjatë gërmimeve të kryera në qytetin e epërm në vitet 1993-94 është konstatuar prania e fragmenteve të enëve prej qeramikës që i takojnë periudhës së mesjetës së hershme të shek. VI të erës sonë, që dëshmon përkatësinë e kësaj fortifikate që nga periudha e kohës së Justinianit. Në vitin 1994 Enti për Mbrojtjen e Monumenteve filloi të rindërtojë konakun e Manastirit në themelet e vjetra të konakut. Gjatë trazirave të marsit 2004 konaku i rindërtuar në 1994 dëmtohet në masë të konsiderueshme, dhe si rrjedhojë në anën jug-perëndimore të kompleksit ndërtohet një objekt i ri. Edhe një ndërtim montazh bëhet po në të njëjtën anë në vitin 2012. Procesi i rindërtimit ka filluar në vitin 2013. Punët janë ende në zhvillim e sipër. Kompleksi ka vlerë historike, shkencore dhe ambientale.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 003002


Emri: Manastiri i Kryeëngjujve


Klasa: Lokalitet Arkeologjik


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Prizren


Qyteti/Fshati: Jabllanicë


Lokaliteti: Gryka e Lumbardhit


Kodi Postar:


Emri i rrugës: Gryka e Lumbardhit



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkeologjike


Periudha:


Shekulli: