Kisha e Shën Ndout në Binçë

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 27.03.2003


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01. 10. 2014


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2021



Historiku


Kisha e Shën Ndout gjendet në fshatin Binçë të komunës së Vitisë. Ndërtimi i saj ka filluar në vitin 1968, kurse është hapur për besimtarët më 1972. Në oborr të saj gjendet edhe shtëpia e famullisë dhe kuvendi i motrave. Ndërtesa ka bazë tetëkëndëshe. E ka hyrjen kryesore në fasadën ballore, si dhe dy hyrje anësore për besimtarët. Është e ndërtuar me materiale të reja: në eksterier vërehen qartë katër breza horizontalë nga betoni, kurse faqet e mureve janë nga gurët e latuar. Në pjesën e sipërme të kishës gjenden dritaret e mëdha nga xhami, në formë trekëndëshi. Kisha mbulohet me kulm shumëujor, i cili nga ana e brendshme paraqitet si kupolë e pikturuar me diell dhe tetë engjëj me fytyra të dëshmorëve shqiptarë. Kambanorja është e ndërtuar në një vend më të lartë se kisha, sigurisht për t’u dëgjuar kambanat më mirë. Edhe ajo ka formën oktagonale, që i përshtatet formës së kishës. Në brendi edhe salla e lutjeve ka formë tetëkëndëshe. Në ballë të sallës është prezbiteriumi i ngritur për 30 cm, në mes të cilit gjendet altari-tavolina. Në të djathtë të altarit gjendet tabernakulli-shtëpia e bukës, ndërsa në të majtë të tij ndodhet amboni, ku lexohet dhe predikohet fjala e Zotit. Më tutje, pakëz prapa ambonit, ndodhet pagëzimorja, ku pagëzohen fëmijët. Në brendësi të prezbiteriumit ka një shkallë të ngritur për 20 cm, e cila improvizon sintronin ku ndodhet një karrige më e madhe se të tjerat, që ta kujton katedrën, e ku ulet prifti kryesor i cili e udhëheqë meshën. Karriget e tjera janë për ndihmësit e priftit kryesor. Krejt në ballë, në vijë me katedrën, ndodhet kryqi i drurit me Jezusin. Janë dy shtylla në dy anët fundore të prezbiteriumit, në të cilat janë të vendosura truporja e Shën Ndout të Padovës, të cilit i është kushtuar kisha, dhe një trupore e Jezusit. Në një shtyllë pa bazament, më e ulët se shtyllat e tjera, qëndron truporja e Marisë, nënës së Jezusit, ndërsa në një shtyllë tjetër, të madhësisë së njëjtë me të parën, ndodhet truporja e zemrës së Jezusit. Në anën e djathtë të prezbiteriumit, prapa tabernakullit, ndodhet varri i Imzot Mark Sopit. Është hera e parë që shohim një varr brenda në kishë të re. Pas prezbiteriumit ka dy hyrje të veçanta, të cilat shpijnë në një korridor, i cili lidhet me dhomën e priftit, që ka hyrje edhe nga jashtë, dhe nëpërmjet shkallëve korridori komunikon me katin, në të cilin ndodhet një bibliotekë e vogël. Në brendi janë të radhitura bankat për ulje të besimtarëve. Karakteristikë e kësaj kishe janë pikturat murale, të bëra më 1989-1991, në kohën kur ndodhën shumë zhvillime negative për popullin shqiptar. Pikturat janë të punuara nga artistet e njohur te Gjilanit, Demir Behluli dhe Zeqirja Rexhepi. Duke pasqyruar një histori të kaluar, artisti vuri në pah idenë për një të ardhme të afërt, e cila do t’i ndodhte Kosovës.Të gjithë shenjtorët, përfshirë edhe Jezu Krishtin, janë veshur me kostume kombëtare shqiptare, nga të gjitha krahinat e kombit tonë. Pikturat janë të vendosura në tri breza. Në brezin e poshtëm janë të vendosura pikturat që për motiv kanë Kalvarin e shqiptarëve të kësaj ane, atë të viteve 1846-1948, kur qenë shpërngulur me forcë nga vendi i tyre për në Turqi. Në brezin e dytë, që është pakëz nën kupolë të kishës, janë të vendosura pikturat me motive nga jeta baritore e Krishtit. Niveli i tretë është kupola e cila po ashtu është e pikturuar. Në brendi janë të vendosura edhe portretet e shquara të popullit shqiptar: Skënderbeu, Nënë Tereza, Shtjefën Gjeçovi, Pjetër Bogdani, Ismail Qemali, Isa Boletini, Abdyl e Sami Frashëri, Gjergj Fishta. Pjesë e domosdoshme e një kishe katolike është Udha e Kryqit, e cila përbëhet nga 14 figura të kornizuara të cilat shpërfaqin veprimtarinë e Jezusit. Të gjitha pikturat murale, që janë gjithsej 520 figura të ndryshme, zënë një sipërfaqe prej 650 m². Opinion nga ekipi i QRTK-së, Gjilan, me rastin e vizitës në nëntor të vitit 2021: Kisha ka një arkitekturë të veçantë, andaj ojekti jep mendimin e tij se duhet të mbetet në listën e LTKMP.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000217


Emri: Kisha e Shën Ndout në Binçë


Klasa: Monument


Institucioni: IKMM-Prishtinë



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Viti


Qyteti/Fshati: Binçë


Lokaliteti: Në mes të fshatit Binçë


Kodi Postar: 61000


Emri i rrugës: “Dom Nikollë Kaçorri”



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Moderne


Shekulli: XX