Shatërvani i vjetër
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Tjetër Data e Mbrojtjes: 02/53/1/1967(278/1967)
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2013
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2016
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2017-2019
Historiku
Shatërvani i qytetit gjendet në kompleksin e Prishtinës së vjetër, në pjesën qendrore të qytetit në fillim të rr. “Nazim Gafuri” dhe asaj “Zenel Salihi” në oborrin e Xhamisë së Çarshisë, përkatësisht në anën perëndimore të objektit të Muzeut të Kosovës. Ky shatërvan i dekoruar nga mermeri paraqet objektin e vetëm publik të llojit të këtillë në Prishtinë i cili ka mbijetuar deri më sot. Në bazë të llojit të ndërtimit dhe dekorimit prej mermeri, mund të thuhet se shatërvani është ndërtuar në fund të shek. XVII deri në fillim të shek. XVIII. Zakonet (larjet rituale) kanë kushtëzuar që arkitektura islamike të vendosë shatërvanë në qendër të hapësirave kompozicionale, siç është rasti edhe me shatërvanin e qytetit. Në të kaluarën dhjetëra shatërvanë të ngjashëm publikë kanë qenë të shpërndarë nëpër qytet. Për besimtarët myslimanë ka shërbyer për "abdes" - pastrim para ritualit të namazit, kurse një pjesë e qytetarëve të Prishtinës e kanë përdorur këtë ujë të shatërvanit për ujë të pijshëm. Uji në këtë shatërvan para një dekade e më shumë ka ardhur nga burimet e Gërmisë me gypa nëntokësorë. Shatërvani sot furnizohet me ujë të ujësjellësit të qytetit të Prishtinës. Uji rrjedh nga shatërvani në pllakë të betonit e cila është e rrethuar me 6 pllaka të mermerit me lartësi 77cm dhe gjerësi 80cm. Pllakat janë të dekoruara me rozeta dhe dekore tjera. Shatërvani ka ruajtur vetëm një pjesë të autenticitetit të tij. Në secilën pllakë të mermerit vërehen vrima në mes, të cilat tregojnë se në të kaluarën shatërvani ka pasur zhvillim më të gjerë, mirëpo ngritja e nivelit të rrugës ka mbuluar të dhënat tjera.