Tabakhana (përpunimi lëkurës)
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 57/55
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Kompleksi i Tabakhanës gjendet në anën e djathtë të Lumbardhit në mes të Xhamisë së Ahmed-Beut, Xhamisë së Suziut dhe ndërtesës së Beledijes. Lagjja e Tabakhanës ka marrë këtë emër pasi që aty bëhej përpunimi i lëkurës me të gjitha proceset përkatëse: larja, tharja, ngjyrosja etj. Në fund të shek. XIX në këtë lagje kanë punuar qindra punëtorë për përpunimin e lëkurës (tabakët). Secili prej tyre ka pasur punëtorinë për tharjen e lëkurës, gropat e gëlqeres për zhytjen e lëkurës, tinarët në lum për shpëlarjen e lëkurës dhe dybekun për shtypjen e ujit. Zeja e tabakëve është ndër më të vjetrat në Prizren dhe ka pasur ndikim të madh në tregun ekonomik dhe zhvillimin tregtar të qytetit. Arkitektura e Tabakhanës i është përshtatur nevojave të punës: janë hapur kanale dhe jaze për të shfrytëzuar ujin e lumit. Kompleksi i Tabakhanës përfshinë këto objekte: objektin administrativ, punëtorinë e lëkurës, mullirin dhe objektet tjera përcjellëse. Pas Luftës së Dytë Botërore kjo veprimtari pakësohet dukshëm pas themelimit të kooperativës për përpunim të lëkurës. Në vitet vijuese kjo zeje edhe më tepër pakësohet kështu që në vitet ’80 të shek. XX aty mbetet vetëm një objekt ku bëhet vetëm blerja (pranimi) e lëkurës. Pas vërshimeve të 17-20 nëntorit 1979, Tabakhana pothuajse tërësisht u shkatërrua dhe humbi pamjen e vet karakteristike, kështu që tani kanë mbetur vetëm mulliri dhe depoja e lëkurës.