Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 260/68
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2010
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit gjendet në kuadër të Kompleksit të Gazi Mehmed Pashës, respektivisht në kuadër të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si tërësi urbane-arkitektonike në aspektin hapësinor është vendosur në bërthamën e vjetër të qytetit dhe ka vlerë të veçantë kulturo-historike, shoqërore dhe ambientale. Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit ka planimetri drejtkëndëshe, është e formësuar në përdhesë dhe në kat. Kati del në formë konzolle kah fasada lindore. Trajtimi i fasadës është linear, me disa hapje në formë drejtkëndëshe dhe kulm katër ujor. Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit fillimisht ka shërbyer si ders-hane (mësonjëtore) e kompleksit të Gazi Mehmed Pashës. Në vitin 1878 e deri në vitin 1881 kjo ndërtesë u shfrytëzua si zyre administrative e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjatë shek. XX kjo ndërtesë u shfrytëzua si hapësirë banimi. Në vitin 1968 bëhet dislokimi i ndërtesës për disa metra në perëndim, për arsye të ndërtimit të rrugës. Vitet 1976-1978 shënojnë intervenimet restauruese dhe revitalizuese me ç’rast, për nder të shënimit të 100 vjetorit, ndërtesa shndërrohet në pjesë të Kompleksit Muzeor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në mars të vitit 1999 objekti shkatërrohet në tërësi nga paramilitarët Serb dhe aty formohet një park. Pas qershorit 1999 menjëherë fillojnë punët në projektimin dhe rinkonstruim të kësaj ikone historike të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar. Punët përfunduan në 10 qershor të vitit 2000. Në vitin 2003 bëhet ridizajnimi i oborrit të kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër të saj kjo ndërtesë shërben si Muze Historik. Në muzeun historik janë të paraqitura eksponate që tregojnë historinë e zhvillimit të ngjarjeve politike gjatë periudhës 1878 – 1881.