Kisha e Shën Spasit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 1598/48
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2010
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012 - 2014
Historiku
Kisha e Shën Spasit ndodhet në Zonën Historike të qytetit, respektivisht në pjesën juglindore të Nënkalasë. Në bazë të një burimi shkrimor(Hrisobulla e Dushanittë vitit 1348) ku ndër të tjerash përmendet edhe kjo kishë si pronë e Mladen Vladojeviqit dhe nënës së tij, e cila është ndërtuar mes viteve 1333-1335, ndërsa në vitin 1348 i dhurohet Manastirit të Kryeengjëjve. Në pjesën e dytë të shek XVIII komuniteti i Cincarëve (Vllah) të Prizrenit e fitoi të drejtën e shfrytëzimit të kishës për nevojat e veta. Pas një kohe gjegjësisht në vitin 1836 Cincarët filluan me ndërtimin e kishës së re e cila e mori emrin kisha e Shën Trinisë me ç'rast kishës ekzistuese i shtohen muret më të larta dhe kambanorja. Për arsye të rrethanave të panjohura ky ndërtim nuk u përfundua. Kjo kishë u shfrytëzua nga Cincarët deri në vitin 1912. Pas vitit 1912 e deri në vitin 1999 kisha shfrytëzohej vetëm gjatë festave religjioze. Objekti është kishë mesjetare me elemente të Bizantit të vonshëm. Kisha ka dimensione modeste, me planimetri të tipit kryqi i brendashkruar. Planimetria është njëaniatëshe me pronaos dhe qemer të kryqëzuar dhe me narteks në anën perëndimore. Kisha është e mbuluar me kupolë oktagonale të ndërtuar mbi tambur. Hyrja ndodhet në anën perëndimore ku nga narteksi kalohet në naos dhe më pas në ambientin e altarit. Absida nga brenda ka formë të harkuar ndërsa nga jashtë paraqitet tri-faqëshe. Edhepse në shikim të parë duket si një kishëz me përmasa të vogla, sa i përket vëllimeve arkitekturore si në pamjen e jashtme dhe të brendshme monumenti ka arritur përpunim të lartë artistik e konstruktiv. Teknika e ndërtimit të kishës është me Klausonazhë (kombinimi i rendeve të tullës me gur) në gjithë planimetrin e saj. Elementet e terakotës në kupolë, rreth dritareve, në arkitraje dhe harqe gjysmë-rrethore të dritareve vazhdojnë skemën e njëjtë dekorative si në fasadë. Afresket janë vizatuar në dy faza. Afresket në shenjtore janë ekzekutuar së pari, gjatë dekadës së katërt të shek. XIV. Kurse pjesa tjetër e afreskeve janë pikturuar në vitin 1348. Pikturat murale që ndodhet në brendinë e kishës, megjithëse kanë pësuar dëmtime gjatë djegieve dhe ri-gëlqerimit, megjithatë janë mjaft të pasura. Në dallim nga kishat tjera të Prizrenit, këtu vërehen proporcionet më të zhvilluara në formë dhe një nivel më i lartë i trajtimit arkitektonik. Duke u bazuar në format dhe teknikën e ndërtimit monumenti i përket kishave të gjysmës së parë të shek XIV. Në vitet 1953-63 është bërë konservimi i kishës. Ndërsa gjatë viteve 2010 - 2011 nga ana e UNESCO-s është bërë restaurimi i kishës, me ç'rast janë restauruar strukturat e mureve, kulmi dhe enterieri. Në bazë të pozitës së saj dominonte, formës dhe trajtimit arkitektonik dhe konstruktiv, kjo kishë paraqet një prej monumenteve religjioze më karakteristike për Prizrenin.