Kulla e Jah Imerit

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 01-77/7/82


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011



Historiku


Kulla e Jahë Imerit – Junik Në qendër të Junikut, në afërsi të xhamisë, në lagjen Hoxhaj, ekziston kulla e gurit, e njohur si Kulla e Jahë Imerit. E ndërtuar në fillim të shek. XIX kjo banesë fshatare me vlera të shumëfishta qofshin ato historike, arkitekturale, estetike, sociale e shpirtërore, mbetet dëshmi që fakton realitetin ekzistues të një thesari të pasur të së kaluarës. Kjo kullë trekatëshe (sipas njehsimit popullor) me dyshekllëk të gurit që del nga muri perimetral në dy anët, është e ndërtuar nga materiali i kombinuar. Struktura e ndërtimit përmban gur, llaç gëlqeror dhe dru. Mbuluar me konstruksion druri dhe çati katërujore me tjegulla tradicionale. Konstrukcioni i kullës përmban dru gështenje, por edhe quprin dhe shtyllën mbajtëse me trenë të vendosur mbi qupri të drurit geshtenje të latuara me sopat. Kulla ka pasur funksionin e banimit dhe mbrojtjes njëkohësisht, pas parasysh murin masiv gati një metër të gjërë. Perdhesa si hapësirë e lirë njëpjesëshe, (si zakonisht në kullat që janë ndërtuar në fshatra) ishte përdorur për strehimin e kafshëve, që në gjuhën e popullit njihej si Ahuri i gjasë. Kjo hapësirë kishte dysheme me kalldrem guri, e në mure disa frëngji për ajrosje. Në njërën anë gjendej dera hyrëse, përderisa brenda hapësirës ishin shkallët e drurit për tu ngjitur në katin e parë. Ndërsa planimetria e katit të parë është e përberë prej korridorit të gjerë, dhomës se zjarrit, dhomës së fjetjes (qilarit) përfshirë këtu edhe dhomën për vendosjen e bylmetit (çarranikun) dhe shkallët për katin e sipërm. Në hapësirën e katit të dytë ishte korridori i ngushtë, divahanja dhe oda e burrave. Në odë akoma ekzistojnë elementet funksionale, si dhe dekori, posaçërisht në derën hyrëse, dollapët, oxhakun, e raftijet. Të dekoruara janë edhe dy dritare gjysme harkore të cilat krijojnë ndriçim. Hapësira e odës është e ndarë në dy pjesë: çerga e madhe dhe çerga e vogël. Në kuadër të kësaj skeme kompozicionale është edhe Divanhanja. Ky mjedis përmban dy dyer hyrëse. Hyrjen e jashtme dhe hyrjen e mbrendshme. Divahanja ka numër të konsiderueshëm dritareve të vogla, të cilat janë të hapura në gurë, në pjesën e sipërme të saj. Sikundër edhe në oden e burrave, edhe në këtë kthinë është oxhaku. Përgjatë kohës së ekzistencës, aseti ka pësuar transformime. Ndërhyrje ka pasur në dritaret e dyshekllakut, të cilat janë zgjeruar. Kulla i ka shpëtuar djegjes, mirëpo gjatë luftës në Kosovë është demoluar, pavarësisht se ishte nën mbrojtje të ligjit që nga viti 1988. Pas luftës se fundit në kullë nuk është bërë ndonjë intervenim, as nga pronari as nga institucionet, dhe si rrjedhojë ka mbetur jashtë funksionit. Për momentin kulla është në gjendje të rëndë dhe ekziston rreziku nga rrenimi. 1. MKRS; Trashëgimia e evidentuar e Kosovës, Prishtinë, 2005 faqe 43. 2. Dr. Drançolli; Rrënimi i kullës shqiptare, Prishtinë 2004, faqe 100. 3. Flamur Doli; Shkolla Kosovare e mjeshtrit popullor shqiptar, Prishtinë 1993, faqe 147. 4. Guide e Junikut dhe Gjakovës; faqe 42.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 002831


Emri: Kulla e Jah Imerit


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Pejë



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Junik


Qyteti/Fshati: Fshati Junik


Lokaliteti: Lagjja Hoxhaj


Kodi Postar: 51050


Emri i rrugës: Lagjja Hoxhaj



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Moderne


Shekulli: XIX



Të rejat nga trashëgimia