Kulla e Brahim Hoxhës

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012



Historiku


KULLA E BRAHIM HOXHËS, ODA E JUNIKUT Në kohën e Balshajve, e posaçërisht në kohën e Dukagjinëve, në Junik filloi ndërtimi i kullave për banim. Gjer më 1462 Juniku dhe Dukagjini qeverisej nga Leka III, ku gjatë kësaj kohe bëhet edhe ndërtimi i kullës (Odës së Junikut). Në qendër të Junikut, në lagjen Hoxha u ndërtua objekti i tipit kullë. Sipas tregimeve pronar i kësaj kulle në shek. XVIII ishte Imer Hoxha. Kjo kullë si banesë e fortifikuar familjare, pos tjerash, në fshatin Junik dhe më gjerë njihet edhe me emrin Oda e Junikut. Pronari i dytë i kullës ishte Avdyl Hoxha. Kjo kullë, pra e njohur në popull me emrin Oda e Junikut, ka një histori të veçantë. Oda e Junikut nuk ishte vetëm monument ku ndahej drejtësia sipas kanunit, por ishte kullë e kuvendeve dhe e besëve në luftë kundër armiqve të popullit shqiptar. Në kohën e Tanzimatit Turqia me çdo kusht u përpoq që ta shuajë aktivitetin e Odës së Junikut, meqë ky aktivitet konsiderohej si i rrezikshëm për interesat e saj. Imer Hoxha ishte aktiv në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit. Në kohën e përgatitjes së Kuvendit të Lidhjes së Pejës, atdhetari i dalluar Haxhi Zeka, me të kthyer nga Shqipëria, u ndal mu në këtë kullë të Junikut, ku u bë pajtimi i gjaqeve dhe ngatërresave mes shqiptarëve, fiseve dhe u vendos që t’i ndihmohet në çdo mënyrë Lidhjes së Pejës. Gjatë viteve 1908-1912 udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Bejta, Beqir Vokshi dhe paria e Junikut, pas shumë besëlidhjeve shqiptare rajonale, si në Llapushnik, Podgur, Drenicë e në gjithë Kosovën, vendosën të mbahet Kuvendi i Junikut, si kuvend i besëlidhjeve dhe vendimeve përfundimtare. Kuvendi i Junikut u mbajt më 21-25 maj 1912, në kullën e Avdyl Hoxhës së parë. Në prag të vitit 1912, kur ushtria malazeze i sulmoi tokat shqiptare të Plavës dhe Gucisë, familja dhe meshkujt e Junikut u nisën së bashku me Avdylin dhe me vullnetarët e tjerë shqiptarë për t’i mbrojtur tokat shqiptare. Në Odën e Junikut gjatë periudhës 1921-1923, kur Juniku ishte zonë demarkacioni në kufirin shqiptaro-shqiptar, gjetën vend të sigurt edhe Hasan Prishtina, Bajram Curri, Beqir Vokshi, Azem Bejta, Keri i Sadri Bardhit e shumë patriotë të tjerë. Plaku i Odës, Avdyl Hoxha, së bashku me parinë e Junikut arritën që më 1921-1923 të organizojnë jo vetëm strehimin e luftëtarëve shqiptarë, por dhanë kontribut në organizimin e qetave të LKSH-së për aksione të mëtejme kundër armikut. Gjatë kohës së zonës së demarkacionit Avdyl Hoxha ishte edhe kryetar i kësaj zone. Me shkatërrimin e zonës Avdyli për një kohë qëndroi në fashatin Gjocaj, ku organizoi popullin për qëndresë. Gjatë luftës 1941-1945 familja e Avdyl Hoxhës ishte në shënjestër të partisë komuniste e cila më 1944, në burgun famëkeq të Gjakovës, e likuidoi plakun e Odës. Pas vrasjes së Avdyl Hoxhës familjen e udhëhoqi i biri i tij, Brahim Hoxha, i cili ishte i përcjellë nga çdo anë nga UDB-ja, i mbetur pa baba, pa tokë, e cila u nacionalizua, pa bagëti dhe gjëra të tjera për jetesë. Edhe në kushte të tilla Brahimi arriti të vazhdojë traditën. E gjithë veprimtaria e Brahim Hoxhës u konkretizua në kullën apo Odën e Junikut, që ishte simbol i qëndresës dhe mbijetesës, mikpritjes e burrërisë, besës e nderit shqiptar. Ajo ka shërbyer si vend ku janë marrë vendime me rëndësi dhe ku është respektuar mënyra dhe rregullimi i jetës shqiptare në bazë të traditave e jo në bazë të ligjeve të sunduesit. Oda e Junikut ishte nën mbrojte që nga viti 1982. Ky objekt (kullë) u ndërtua në fillim të shekullit XVIII. Ndërtimi i takon tipit kullë fshatare. Ndërtimi është realizuar kryesisht nga gurët dhe gurët e latuar, me dru gështenje dhe bungu të latuara me sëpatë dhe i takon teknikës rustika (fshatarake). Kulla ka pasur funksionin e banimit dhe të mbrojtjes. Diametri i kullës është 10X10 m, lartësia P+2, me mur një metër të gjerë. Bazuar në gjendjen burimore, ndërtesa në aspektin kompozicional veçohet me dyshekllëk të drurit me hapje të ornamentuara që del nga muri perimetral. Ruan mjaft elemente origjinale të kohës, ka shkallë të jashtme të gurit. Dallohet me trajtim estetik të enterierit të odës së burrave e posaçërisht të derës dhe oxhakut. Me kalimin e kohës monumenti ka pësuar ndryshime e sidomos në dukjen ballore me hapjen e një dere të re harkore në përdhese duke e mbyllur derën e mëhershme. Oda e Juniku ka tri kate, përdhesen + 2 dhe me këtë funksion fillestar: kati përdhese zakonisht është përdorur për strehimin e kafshëve dhe vendosjen ushqimit të kafshëve për disa ditë. Ka portën, disa frëngji për ajrosje, është e shtruar në kalldrëm dhe ka shkallët për në katin e parë. Që nga viti 2002, pas restaurimit, përdhesja përdoret për shfrytëzim ditor. Kati i parë: në katin e parë vend me rëndësi zë “dhoma e zjarrit” apo “dhoma e grave”, e cila ka një oxhak të madh sepse ka edhe funksione të tjera, shërben për të pjekur bukë dhe për zierjen e gjellëve. Në qoshe të saj është e vendosur magjja ku gatuhet buka, zakonisht afër oxhakut janë çerepët dhe saçet dhe ka edhe elemente të tjera. Përveç dhomës së zjarrit ishin edhe dy dhoma të tjera, një për fjetje dhe dhoma e bulmetit (çarraniku), dimensionet e të cilave janë shumë të vogla, aq sa mund të vendoset një shtrat dhe arkat për rroba. Nga intervenimi në vitin 2002 janë bërë disa ndryshime nga gjendja e mëparshme, tani kemi dy dhoma të fjetjes, një kuzhinë dhe një nyje sanitare, një divanhane të vogël me shkallë për katin më të lartë. Oda e burrave: paraqitet në katin e sipërm, është pjesa më e bukur, e cila ka ruajtur thjeshtësinë e pandryshuar të rregullimit të mëparshëm. Kjo odë fiton nga efekti me derën e hyrjes, oxhakun, dollapët e bukës, tavanin, raftet, trapazanin. Përveç këtyre kemi edhe tavanin prej shikllave, oxhakun, raftet e profilizuara, dollapët, dollapin e bukës, trapazanin si dhe derën e odës së burrave të gdhendur dhe punuar nga druri, të cilat japin pamje estetike. Këto elemente të lidhura organikisht në ndërtim luajnë rolin e vet funksional, duke mos humbur vëllimin që na paraqitet në këtë kullë në tërë ngrohtësinë e saj. Origjinaliteti u ruajt edhe gjatë restaurimit në vitin 2002. Përveç odës së burrave kemi edhe një dhomë e cila ka shërbyer për zotin e shtëpisë. Divanhanja: është një hapësirë para odës së burrave. Ajo ka shumë dritare që janë të hapura në gurë, të cilat përbëjnë një pjesë të vogël. Në pjesën e sipërme të divanhanës ka edhe një oxhak. Kjo thellësi e divanhanës, nga ana tjetër, për nevojë të ndriçimit kushtëzon ndërtimin edhe të një dyshekllëku tjetër të gurit me dritare drejtkëndore në anën e pasme të kullës. Dyshekllëku: është i dalë nga fasada e parë me dru në të dy anët e kullës. Është dyshekllëk këndor i drunjtë me shtrirje nga ana e djathtë e ballinës. Menjëherë pas mbarimit të luftës, pasi kulla ishte djegur nga forcat serbe më 1998, ndër prioritetet kryesore ishte restaurimin e kësaj i saj. Kulla është restauruar në vitin 2002. Tani kulla është në shërbim të familjes, komunitetit dhe instituteve që bëjnë ruajtjen e saj. Nëse e shikojmë enterierin e jashtëm, kulla tërë qëndrueshmërinë e vet e ka në katër qoshet e saj, të cilat janë të murosura me gurë të latuar. Dritaret dhe dy dyert i ka gjysmë harkore. Meqë i takon tipit të kullës me dyshekllëk të drurit themi se si e tillë është e rrallë dhe me vlerë. Tani gjendja e monumentit është shumë e mirë pas restaurimit nga OJQ “CHWB” dhe SIDA suedeze në kuadër të projektit “Restaurimi i 5 kullave të Dukagjinit”. Ndikimi i rrethinës është mjaft i vogël pasi që nuk rrezikohet për degradim. Aktualisht shfrytëzohet për banim dhe është e hapur për vizitorë. 1. Dr. Drançolli: Kulla Shqiptare, Prishtinë, 2001, faqe 98-104. 2. Dr. Drançolli: Rrënimi i kullës shqiptare, Prishtinë, 2004, faqe 100. 3. Dr.sc. Flamur Doli: Shkolla kosovare e mjeshtrit popullor shqiptar, Prishtinë, 1993, faqe 147. 4. Dr. sc. Flamur Doli: Arkitektura Vernakulare e Kosovës, Prishtinë, 2009, faqe 162-167. 5. Mr. sc. Flamur Doli: Arkitektura tradicionale popullore e Kosovës, Prishtinë, 2001, faqe 30-31. 6. Dr. Drançolli: Trashëgimia Monumentale në Kosovë, Prishtinë, 2011, faqe 180. 7. Xhemail Bajrami: Xhemail Abria-Monografi, Prishtinë, 2008, faqe 90, 124, 143. 8. Muhamet Mjeku: Binak Alia dhe brezat pas tij, Nju-Jork, 2016, faqe 42-43.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 002830


Emri: Kulla e Brahim Hoxhës


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Pejë



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Deçan


Qyteti/Fshati: Junik


Lokaliteti: Junik-Deçan


Kodi Postar: 51050


Emri i rrugës: Laxha Hoxhë



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVIII