Shtëpia e Emin Musës (Ehat Musës)
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 949/55
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Historiku
Shtëpia e Emin Musës Gjendet në rrugën “Halil Kasapolli” nr. 9 në Pejë. Shtëpia, si nevojë elementare për strehim dhe siguri, paraqet bazën themelore të të gjitha ndërtimeve. Mund të themi se ka arritur një nivel të lartë si në aspektin arkitektonik po ashtu edhe në atë funksional. Shtëpia e Emin Musës u ndërtua në fund të shekullit XVIII, e vendosur në veriperëndim të ngastrës, por e tërhequr nga kufiri me komshi. Madhësia e ngastrës është: 21X27m. Kurse vetë shtëpia ka dimensionet 14X10m, me kate P+1, fasada kryesore është e drejtuar nga jugu. Shtëpia nga aspekti arkitektonik është tipike qytetare-pejane, e cila ka arritur një nivel të jashtëzakonshëm të plastikës dhe formësimit sipas nevojës së njeriut. Çardakët, anëcakët dhe përpunimi i detajeve të ndryshme përmblidhen në një tërësi jashtëzakonisht të bukur. Pra është shtëpi e vjetër qytetare e tipit ballkon të mbyllur, e ndërtuar për nevojat e jetesës së familjes. Shtëpia posedon vlerë arkitekturore me elemente tradicionale shqiptare. Konstruksioni mes katesh është nga druri, muret e ndërtuara nga guri natyral dhe tulla të zjarrit. Shtëpia u ndërtua nga mjeshtrit shqiptarë. Pos vlerës arkitektonike, objekti cilësohet edhe me vlera të arteve të zbatuara. Këto vlera na prezantohen në brendësinë e objektit. Në arkitekturën, tipologjinë, skemën, kompozicionin e këtij objekti të banimit vërehen ndikimet e ndërtimeve të shekujve të përparmë të realizuara në qytetin e Pejës. Objekti gjatë kohës ka pasur intervenime dhe së fundi është restauruar nga pronari. Në fillim shtëpia ishte e ndërtuar nga guri, qerpiçi, druri dhe e mbuluar me tjegulla tradicionale. Kurse pas luftës së fundit 1998/99 shtëpia është restauruar dhe në materialin ndërtimor është përdorur: guri, tulla e zjarrit, druri, kurse është mbuluar me tjegulla gjysmë mediteran. Interieri i brendshëm dhe i jashtëm është tërësisht i ri, por identik me interierin e mëparshëm, do të thotë e ka ruajtur origjinalitetin, por është i ri. Shtëpia gjendet në zonën kadastrale në Pejë, njësia kadastrale: 1159, lista poseduese nr. 890, ka një sipërfaqe prej 5 ari 62m. Objekti është nën mbrojtje që nga viti 1955, me nr. v.E.K.949/55.