Hamam Xhamia

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 02-551/77


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012



Historiku


Hamam Xhamia Hamam xhamia është ndërtuar në vitin 1587, ajo gjendët në pjesën e vjetër të qytetit, në lagjen e Haxhi Zekës, pranë Hamamit të Haxhi Beut dhe ndërtesës së shkollës së parë shqipe në Pejë. Sipas të dhënave nga Bashkësia Islame, xhamia është ndërtuar në vitin 1578 dhe është regjistruar si xhamia e Hamamit (meqë gjendet në afërsi të Hamamit të Haxhi Beut). Megjithatë xhamia njihet edhe me emrin Bula Zades. Në literaturën Turke ( Libri EV KK. 757 f. 11-3 dhe libri 172 f 114-5) tregohet se xhamia është ndërtuar nga ana Hasan Bejit, i cili mendohet të ketë qenë vëllai i vezirit të madh Mere Hysejn Pashës, i cili ka qenë ndihmës guvernator në Pejë. Edhe disa pjesë të mbetura nga ndërtimi i vjetër dëshmojnë se ndërtimi i xhamisë i përket shekullit XVI-të. Në aspektin arkitektonik vlerësojmë se kemi të bëjmë me një objekt të thjeshtë me planimetri drejtkëndëshe, ku pjesa qëndrore ka dimensione 12.56 m x 12.46m, ndërsa si tërësi (duke përfshirë edhe hajatin e ndërtesës arrin gjatësi prej 18.91m). Struktura e ndërtimit është e përzier me gurë të parregullt, mbështjellë me llaç. Trashësia e mureve të xhamisë është e ndryshme. Baza dhe muret anash janë rreth 1,20 m. kurse muri nga kibla 1,60 m. Pjesa e hajatit është mbështetur në shtylla dhe e mbështjellur me xham. Mbulesa është tradicionale me tjegulla. Hyrja në xhami bëhet përmes derës së drurit me dy krahë. Sipër hyrjes mbi mermer gjendët mbishkrimi i dekoruar. Mbishkrimi përbëhet prej dy vargjeve dhe është në formë vizore. Në mes me numra Arab është i shkruar viti i rregulluar hixhri 1278. Nga teksti i mbishkrimit kuptohet se xhamia është meremetuar nga Davud Agazade. Nuk dihet data poetike e mbishkrimit. Nga hyrja në brendësi prej 2,50 m gjendët Mahfili. I ndërtuar rishtas dhe i përforcuar me beton qëndron mbi 6 shtylla të betonit. Rrethoja është nga hekuri. Në mes gjendët ura kaluese. Mafili ka kangjella. Qasja në minare bëhet përmes mafilit. Kurse në mafil dilet nga hyrja në të djathtë dhe nga shkallët që gjendën brenda murit në të majtë. Mimberi është i ngjitur në mur. Pas djegies së xhamisë ka mbetur jashtë edhe mihrabi. Mihrabi i lyer me gëlqere, e cila ja ka humbur veçorit, gjendet në mes të një kornize proporcionale. Xhamia nga brenda është e lyer me gëlqere dhe nuk është e dekoruar (gjatë djegies ka humbur të gjitha dekoracionet). Në ndërtesë gjenden gjithsej 19 dritare harkore. Në brendësi është e vendosur kupola e brendashkruar me bazë tetëkëndëshe në të cilin është i varur një llambadar. Minarja gjendët në anën e djathtë të xhamisë dhe është e ngjitur me objektin. Sipas Ajverdit minarja është më e vjetër se objekti i xhamisë. Baza është ndërtuar nga gurët e latuar. Është 12 këndore dhe duke u ngushtuar formon harkun ku me një belezik formon trupin. Tek rrethi i sherifes arrihet me një konveks brenda dhe jashtë. Kapaku është nga plumbi, kurse alemi nga bronzi nikel. Minarja komplet është e suvatuar dhe e ngjyrosur me gëlqere të bardhë. Fatkeqësisht xhamia përgjatë ekzistencës së saj është djegur disa herë. Fillimisht në vitin 1890, më pas gjatë luftës së parë botërore, ndërsa të fundit herë në vitin 1999. Në oborrin e xhamisë ekzistojnë një numër i varrezave të cilat i takojnë periudhave të ndryshme kohore. Në vitin 2001 monumenti është restauruar. Vazhdon të jetë në shërbim të komunitetit islam. Meqë Xhamia hyn në radhën e monumenteve më të vjetra të trashëgimisë kulturore, jo vetëm në qytetin e Pejës por në tërë Kosovën, e vlerësojmë si aset me vlera të veçanta historike, por edhe arkitekturore, sociale e shpirtërore. Fatkeqësisht monumenti gjatë djegies por edhe gjatë intervenimit të bërë pas luftës së vitit 1999 ka humbur shumë në origjinalitetin e tij. Nga mbulimi i fasadave me llaç humbën gjurmët e vizatimeve dhe tani muret kanë ngelur thuajse pa asnjë dekorim. Edhe vendosja e xhamave në hajat ka ndikuar në humbjen e autenticitetit në masë të konsiderueshme. Xhamia si objekt i vjetër nuk ka edhe shumë shembuj analog, ngase pjesa dërmuese e ndërtesave të vjetra janë të mëvonshme, ndaj ato e ndjekin këtë lloj të ndërtimit, rrjedhimisht në aspektin komparativ cilësohet si e veçantë. _____________________________________________________________________________ 1. Bashkësia Islame e Kosovës: Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë shkurt 1998-qershor 1999, Prishtinë 2000. 2. MKRS-Prishtinë: Trashëgimia e evidentuar e Kosovës, Prishtinë 2005. 3. IMM-Pejë: Monumentet kulturo-historike në Pejë, Pejë 2006. 4. IMM-Pejë: Trashëgimia e evidentuar në Rajonin e Pejës, Pejë 2009, 5. BIP-Pejë: Xhamitë e Pejës, material i përgatitur e përkthyer nga Mr.Muhamed Mavraj



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 002794


Emri: Hamam Xhamia


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Pejë



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Pejë


Qyteti/Fshati: Pejë


Lokaliteti: Lagjja Haxhi Zeka, Pejë


Kodi Postar: 30000


Emri i rrugës: Haxhi Gashi -Te pazari nr.121



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVI