Xhamia e Jashar Pashës
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Tjetër Data e Mbrojtjes: 02/53/1967 (02-278/67)
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2013
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2016
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2017-2019
Historiku
Në aksin rrugor “Nazim Gafurri”, si pjesë integrale e ansamblit tradicional arkitekturor të Xhamisë së Çarshisë, Shatërvanit, Muzeut të Kosovës, Sahat Kullës dhe Parkut Arkeologjik, tërësi e vendosur nën mbrojtje të shtetit, qëndron Xhamia e Jashar Pashës, e cila shërben si faltore për besimtarët islamë në Prishtinë. Sipas të dhënave të shkruara, ndërtimi i kësaj xhamie daton që nga shekulli XV, derisa pamja e saj kryesisht daton nga shek XIX. Kjo përkon me kohën kur Jashar Pasha, si qytetar i Prishtinës, ka financuar realizimin e riparimeve rrënjësore të kësaj xhamie, dhe që nga ajo kohë xhamia mban emrin Xhamia e Jashar Pashës. Ky monument paraqet një shembull të stilit të vonshëm barok gjatë periudhës osmane. Ndërtesa ka planimetri katrore - 10,50x 10,50 m, ka strukturë guri të tipit njëkupolësh me portik druri të tipit të hapur, ka minare prej guri dhe oborr shumë të ngushtuar. Enterieri paraqet një hapësirë unike të ndriçuar përmes dritareve të radhitura në nivele, me mure të pikturuara dhe në përbërje ka mahvilin, mimberin dhe mihrabin. Fasada e pjesës hyrëse dhe tavani nga druri i hajatit po ashtu janë të dekoruara me motive bimore. Minarja dhjetëkëndëshe e vendosur pranë xhamisë posedon dekorim skulptural në pjesën e poshtme dhe sherefen elegante të vendosur në pjesën e sipërme. Shatërvani i vendosur në qendër të oborrit të xhamisë është një konstruksion i thjeshtë nga guri. Edhe pse kjo xhami nga origjina e saj ka pësuar transformime gjatë shekujve, ajo në përbërjen e saj posedon të gjitha elementet karakteristike të shtresuara gjatë shekujve dhe është një tërësi ndërtimore me vlera arkitekturore, artistike, historike e shoqërore. Kjo xhami përpos që ka rëndësi për komunitetin e besimit islam, radhitet edhe si vepër ndërtimore e spikatur dhe e rëndësishme për zhvillimin e arkitekturës dhe peizazhit kulturor-historik të qytetit të Prishtinës.