KULLA E SAHATIT
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014
Historiku
Objekti gjendet në bërthamën e "Çarshisë së Madhe", saktësisht në vendin e quajtur "Fusha e Sahatit" dhe është ndërtuar në fillim të shekullit XIX. Ky objekt është ndërtuar menjëherë pas ndërtimit të Xhamisë së Hadumit, sepse zhvillimi i shpejtë i zejtarisë dhe tregtisë imponoi nevojën për vendosjen e një rregulli që do të përcaktonte kohën e punës nëpër qytete. Kulla e Sahatit u dogj më 1912 nga ushtria malazeze, me ç’rast është hequr mekanizmi i orës dhe është bartur në Mal të Zi. Për 100-vjetorin e rrënimit të objektit, MKRS e Kosovës e rindërtoi objektin në afërsi të themeleve ekzistuese, duke u bazuar në foto-materialet nga arkivi i QRTK –së në Gjakovë. Dimensionet e objektit janë: 4.10 x 4.10 m (gjerësia), kurse lartësia është 30 metra. Themelet e objektit të vjetër kanë qenë të ndërtuara nga guri, muret deri në nivelin e vrojtimit ishin të punuara në kombinim guri dhe tullë e pjekur, dhe mbi nivelin e vrojtimit ka qenë i ndërtuar nga konstruksioni i drurit, i mbuluar me plumb. Objekti i ri është ndërtuar me material të fortë (tulla dhe beton), ndërsa në fasadë nga ana perëndimore janë vendosur gurët origjinalë me mbishkrime nga objekti i vjetër dhe kulmi është i mbuluar me plumb.