Kulla e Avdurrahman Kajtazit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 990/2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Historiku
Kulla e Avdurrahman Ramë Kajtazit – Lubovë, Istog Në fshatin Lubovë të Istogut, përkatësisht në Lagjen e Kajtazëve në kuadër të kullave gjendet kulla e Avdurrahman Ramë Kajtazit, që si ndërtim u realizua nga mjeshtrit shqiptarë vendor dhe dibran në fillim të shekullit XIX –të. Kulla ka qenë e njohur si jatak, vendqëndrim i shumë patriotëve të kësaj ane, si dhe shumë figurave historike si: Haxhi Zeka, Azem Galica, etj. të cilët mbanin tubime historike për rezistencën shqiptare ndaj pushtuesit. Objekti në aspektin arkitektonik shquan me planimetri drejtkëndore, me dimensione 10,40m x 9,25m dhe etazhitet P+2. Struktura e ndërtimit është nga guri, druri dhe llaçi vazhdues gëlqeror, i cili gjendet në fugat e gurëve të cilat e zbukurojnë murin e kullës me trashësi 80 cm. Këndet e kullës janë me gurë të latuar, përderisa muret e fasadave janë të ndërtuara kryesisht nga gurët e thjeshtë. Ka kulm katër ujor të mbuluar me tjegulla tradicionale. Në përdhesë në të kaluarën janë strehuar kafshët. Përdhesa përfshin derën kryesore të rrethuar me kornizë të gurit, e cila përfundon me hark të dyfishtë. Përderisa dritaret po ashtu përfundojnë me formë harkore nga guri. Qasja në katin e parë realizohet përmes shkallëve të brendshme. Në kat kanë qenë të sistemuara dhomat e gjumit, ndaj edhe është përdorur për fjetje. Po ashtu lidhja në katin e sipërm bëhet përmes shkallëve. Në katin e dytë gjendet Oda, Banjoja dhe Divahanja apo Dyshekllëku me dritare të vogla. Dyshekllëku i gurit, është i dalë lehtë nga muri perimetral dhe shtrihet në dy fasadat e kullës. Shquan konzola e theksuar në skaje të Kullës. Dyert e brendshme janë të punuara nga druri me forma gjeometrike. Edhe dritaret janë nga materiali i drurit, por me korniza nga guri me formë harkore, përderisa në oden e burrave kornizat e dritareve janë me harqe të dyfishta nga guri. Pra ndërtesën posaçërisht e shquan etazhiteti, kemi të bëjmë me kullë trekatëshe (sipas njehsimit të popullit, me dyshekllëk të gurit, karakteristikë kjo kryesisht e Kullave të Rrafshit të Dukagjinit. Në divahane janë vendet për ulje në parapet, si dhe oxhaku për përgatitjen e çajit apo kafesë. Po ashtu aty gjendet edhe kroni për pastrimin e duarve. Oda e burrave, sikundër edhe në kullat e tjera paraqet pjesën më të bukur të monumentit. Dera e odës është gdhendur nga druri dhe ka forma të ndryshme gjeometrike. Në kuadër të tërësisë së elementeve që i përmban kjo odë gjenden edhe çerga e madhe dhe çerga e vogël, oxhaku dhe dy dollapë të punuar nga druri, si dhe elemente tjera të rëndësishme që kanë funksione të caktuara. Kulla e Avdurrahman Ramë Kajtazit si monument ka rëndësi Arkitektonike, Historike, Kulturore, Artistike, Shoqërore e Shpirtërore. Është ndër ekzemplarët e ruajtur sa i takon gjendjes burimore. Krahas vlerave historike ( meqë njihet si jatak, vendqëndrim i shumë patriotëve të kësaj ane si dhe shumë figurave të shquara kombëtare) me vjetërsinë dhe origjinalitetin e ruajtur deri ne ditët e sotme, paraqet një dëshmi te zhvillimeve kulturore dhe arkitekturore të kohës së realizimit në fshatrat e Istogut. Lidhur me autenticitetin e saj vlerësojmë se kemi të bëjmë me një ekzemplar mjaft të ruajtur dhe me integritet të pa cenuar, pavarësisht restaurimit që i është bërë pas luftës meqë monumenti ishte granatuar dhe dëmtuar nga serbët gjatë luftës së fundit. Gjer para luftës së vitit 1999, kjo kullë është përdoruar si objekt banimi dhe odë fshati, mirëpo sot nuk përdoret për banim, meqë në prill të vitit 1999 është djegur e granatuar dhe për shkak të degradimit të gjendjes ishte jashtë funksionit të banimit. Pas ndërhyrjes emergjente përgjatë viteve 2012/13 nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, kulla gjatë restaurimit ka ruajtur origjinalitetin e saj, me përjashtim të disa intervenime në dritare dhe dyshekllëk. Megjithatë për funksionalizimin e plotë të kullës, paraqitet nevoja për vazhdimin e fazave tjera të restaurimit, posaçërisht në interier.