Kulla e Lash Ukaj
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 878/2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011
Historiku
Kulla e Lash Ukaj- Kaliçan, Istog Në fshatin Kaliqan të Istogut, në Lagjen e Ukajve gjendet kulla e banimit e njohur si kulla e Lash Ukaj. Ky ndërtim u realizua në fillim të shekullit XIX nga guri i papërpunuar, guri i latuar, druri dhe llaçi gëlqeror, sipas teknikës së ndërtimit rustika. Ka etazhitet P+2, me planimetri të bazës së përdhesës në formë drejtkëndore, me dimensione 9.94m X 8.20m. Dritaret e Kullës në dyshekllëk dhe në odën e burrave kanë formë harkore, nga guri i latuar, ndërsa dritaret e dy kateve të para shquajnë me formë drejtkëndore . Kulmi është me konstruksion druri katërujor, mbuluar me tjegulla tradicionale. Komunikimi me objektin bëhet përmes derës së drurit me hapje harkore kufizuar nga guri i latuar, portë kjo e cila arrihet nga shkallët e gurit në hyrje të kullës. Përdhesa është një hapësirë e lirë një pjesëshe. Përmban një shtyllë (direk) druri mbi të cilën qëndron konstruksioni i kateve. Poashtu në anën e djathtë të përdhesës gjenden shkallët e drurit të cilat krijojnë lidhmëni me kate. Kati i parë, sikundër edhe kullat tjera trekatëshe të dukagjinit, përmban dhomën e zjarrit si një ndër mjediset më të rëndësishme të objektit. Në këtë mjedis ishin edhe dhomat e fjetjes (qilarët) me dimensione të vogla, të cilat ishin të rreshtuara njëra pranë tjetrës. Hapësira e katit ka korridorin e gjerë dhe shkallët nga druri përmes së cilave arrihet në katin e sipërm. Të gjitha mjediset kanë tavane të punuara me shiklla të drurit.. Kati i lartë në skemën kompozicionale përmban korridorin e ngushtë, nyjën sanitare, si dhe mjedisin e zakonshëm që është oda e burrave me divanhane. Divanhanja në pjesën e sipërme ka dritaret e vogla të dyshekllëkut. Ndërsa oda e burrave ndriçohet me tri dritare me hark, me dimensione më të mëdha se dritaret tjera, si dhe elementet përcjellëse të odës, që janë të rëndësishme qoftë në aspektin funksional, ashtu edhe në aspektin estetiko-artistik. Tavanet janë të punuara me shiklla të drurit. Kulla gjatë kohës e ka ruajtur origjinalitetin, me përjashtim të dritareve në dy katet e para të cilat kanë ndryshuar formë dhe janë zgjeruar. Monumenti ishte djegur gjatë luftërave ballkanike në vitin 1912. Dhe pas rindërtimit në vitin 1913 nuk ekziston më dyshekllëku, i cili dëshmon ekzistencën e tij në të kaluarën , në saje të gjurmëve që gjenden në fasadat e kullës. Edhe në luftën e vitit 1999 në Kosovë, kulla u granatua. Pasojat e granatimit ishin prezente posaçërisht në fasadën veriore dhe në çati, duke rrezikuar edhe rrënimin. Megjithatë pas luftës MKRS ka intervenuar në restaurimin e pjesshëm të kullës, ku është rekonstruktuar kulmi dhe është mbuluar me tjegulla, gjithashtu ka pasur ndërhyrje edhe në pjesë tjera të monumentit. Gjithsesi është e nevojshme që në të ardhmen të vazhdohen fazat tjera të restaurimit.