Shtëpia e Zekirja Abdullahut -Gjilan

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2021



Historiku


Në qytetin e Gjilanit, afër postës kryesore, gjendet Shtëpia e Zekirja Abdullahut. Shtëpia daton nga fundi i shek. XIX, ka pasur dhe ka funksionin e banimit. Shtëpia ka përdhesen dhe katin e parë, ku çdo ambient ka funksion të caktuar. Në të dy katet janë dhomat e banimit. Ndërtimi i takon tipit shtëpi tradicionale me stil qytetar-shqiptar. Ndërtimi është realizuar me gurë, qerpiçë dhe dru. Kjo shtëpi është ndër shtëpitë më të bukura të qytetit të Gjilanit e cila ka një arkitekturë të veçantë. Sipas informatave të marra nga të vjetrit, z. Zekirja Abdullahu, pronari i tashëm i shtëpisë, konstaton se shtëpia i përkiste kajmekamit të Gjilanit. Më pas në atë shtëpi ka banuar kadiu i Gjilanit, Mulla Mehmeti. Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, më 1912, shtëpinë e kishte uzurpuar një familje serbe. Thuhet se nga ajo familje serbe që sot është e panjohur për opinionin, shtëpinë e kishte blerë Zija Behluli – Pasuli, një kamës i kohës. Ndërsa, Bajram Abdullahu, baba i Zekirja Abdullahut e ka blerë këtë shtëpi në vitin 1968 nga familja Behluli. Shtëpia, si tërësi, paraqet vlera të arrira të kulturës islame dhe shqiptare njëkohësisht. Ajo ka gjysmë-katin përdhese dhe katin sipër. Në përdhese ka një korridor dhe dy dhoma anash, sikundër edhe shkallët për në kat. Dhomat përdoren për ndejë të familjes, ndërsa tavani i tyre prej trarëve (7 në dhomën majtas dhe 8 gjithsej në dhomën e dytë djathtas) të gëlqerosur dhe të dalë jashtë nga sipërfaqja, sikundër edhe dritaret origjinale dhe dera e dhomës paraqesin një nivel të lartë të punimit në drugdhendje. Kati ka pësuar ndryshime. Tani nuk ka një formë të rregullt të dhomave. Gjithsej ka tri sosh. Dy janë të dekoruara, ndërsa një që ndodhet në anën jugore, ose në anën e prapme të shtëpisë është më e gjatë se dy të tjerat dhe përfundon me një zgjatje lakore kah lindja. Më parë edhe në pjesën e prapme shtëpia kishte dy dhoma, por si duket është ndërhyrë në të, duke nxjerrë një nyje sanitare të nevojshme për kohën nga njëra dhomë. Pjesa qendrore e katit është e nxjerrë në formë konzolle, duke formuar qoshkun. Enterieri i shtëpisë është punuar me një kujdes të veçantë, ku vlen të përmendet tavani i qoshkut i punuar në drugdhendje, në formë të rozetës me tetë kënde. Elementet e tavanit kanë forma të ndryshme gjeometrike, katrorë apo trekëndësh dhe kanë dekorime me motive florale. Hapësira ndërmjet elementeve të drurit dhe rreth rozetës është e ngjyrosur me ngjyrë të kaltër, të kuqe dhe okre, gjithashtu me dekorime florale. Në tavan është ruajtur një mbishkrim në gjuhën e vjetër turke ku shënon viti 1302 sipas Hixhrit, që përkon me vitin 1884 sipas Kalendarit gregorian. Dekorimi i pasur në drugdhendje me motive florale vazhdon edhe nëpër mure të qoshkut. Të gjitha dhomat e katit kanë oxhak në vete, i cili fillon po nga kati. Enterieri është i pasur edhe me dollapë të vendosur në mure – jyklyk, me kapakë nga druri të dekoruar me drugdhendje. Gjithsesi është i rëndësishëm edhe një divan i vogël, po shumë komod për kohën. Divani ka tavanin e dekoruar me piktura dhe punime të gravura në dru, formash të ndryshme, ku dominon trekëndëshi brinjëndryshëm. Kjo shtëpi është njëra ndër shtëpitë më karakteristike që datojnë nga shekulli XIX të ruajtura në gjendje fillestare, dhe si e tillë ka vlerë të lartë arkitektonike, historike e shoqërore. Ne vitin 2013, ne kuader te projektit per Intervenim Emergjent, MKRS ka financuar renovimine kulmit dhe fasades. Opinion nga ekipi i QRTK-së, Gjilan, me rastin e vizitës në nëntor të vitit 2021: shtëpia e Zekirja Abdullahut duhet të jetë në LTKMP, vlerat që posedon si arkitekturore, historike, estetike, janë vlera për t’u ekspozuar para çdo vizitori.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000183


Emri: Shtëpia e Zekirja Abdullahut -Gjilan


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Gjilan



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Gjilan


Qyteti/Fshati: Gjilan


Lokaliteti: Gjilan


Kodi Postar: 60000


Emri i rrugës: Isa Kastrati



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XIX