Kisha e Shën Anës në Dunav

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2006


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015



Historiku


Në fshatin Dunav të Epërm të komunës së Gjilanit gjendet kisha e Shën Anës. Kisha e Shën Anës është ndërtuar në vitin 1938, në të njëjtin vit kur është ndërtuar edhe xhamia e fshatit. Është kjo kishë e vetme katolike në komunën e Gjilanit, e cila që nga viti 2014 gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme. Kisha e Shën Anës e ka një pozitë shumë të mirë gjeografike: gjendet në afërsi të kufirit shtetëror ndërmjet Kosovës, Serbisë e Maqedonisë, si dhe ka një lartësi mbidetare prej 800 metrash. Ka një oborr të trajtuar mirë, të rrethuar me plepa, pisha, e drunj bliri. Rreth 300 metra larg kishës gjenden varret e fshatit. Baza e kishës është e ndërtuar nga gurët, ndërsa muret e saj nga tullat dhe llaçi i gëlqeres. Muret janë të veshura me gurë shtufi ngjyrash të ndryshme, të rrethuara me llaç vazhdues me hulliza në formë fugash. Në anën e majtë të hyrjes është kambanorja e saj katrore e ngritur në një lartësi prej 12 metrash. Në fasadën e kambanores ndodhet një nishë që është e lartë përafërsisht sa dera hyrëse. Mbi nivel të nishës, në të katër fasadat e kambanores, ndodhet nga një dritare e ngushtë. Nga aty kambanorja ngushtohet dhe përfundon me kulm mbi të cilin gjendet kryqi. Mbi derën hyrëse është një pllakë e thjeshtë në të cilën shkruan emri dhe data e ndërtimit të kishës “Kisha Katolike e Shën Anës, 1938”. Anash derës hyrëse janë dy dyer të mbyllura: para rinovimit të fundit (më 2012) njëra komunikonte me kambanoren ndërsa tjetra lidhej me rrëfyestoren. Tashmë është krijuar një korridor i ngushtë nga i cili hyhet drejtpërdrejt në sallë të lutjes sepse kisha është njëaniatëshe. Në të vërtetë në sallën e lutjeve mund të hyhet nga tri hyrje paralele që paraqesin një lloj tribeloni, por pa arkada. Në të dy anët ndodhen bankat për t’u ulur njerëzit, duke e krijuar kështu një korridor në mes për lëvizje. Salla e lutjeve përfundon me absidën gjysmërrethore si nga brenda, si nga jashtë. Anash absidës ndodhen dy kthina ndihmëse. Në ballë të absidës gjendet një dritare drejtkëndëshe, kurse në muret anësore gjenden nga tri dritare, por ndriçimi në kishë në përgjithësi nuk është i mjaftueshëm. Në dyshemenë e ngritur me dy shkallë, e cila ndodhet në pjesën e absidës, qëndron i ngritur altari. Kulmi i kishës është dyujor, ndërsa një kulm më i ulët i përket absidës. Kulmi është riparuar në vitin 2012, kur i janë shtuar edhe ulluqet. Gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitet 1998-1999 ndërtesa e kishës ka shërbyer si spital. Opinion nga ekipi i rivleresimit te viti 2021: Kisha e Shën Anës në fshatin Dunav, komuna e Gjilanit duhet të mbetet në LKTMP. Kisha përveç vlerave shpirtërore, arkitektonike dhe vjetërsisë që ka është edeh kishë e vetme katolike në komunën e Gjilanit.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 000180


Emri: Kisha e Shën Anës në Dunav


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Gjilan



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Gjilan


Qyteti/Fshati: Dunav


Lokaliteti: Dunav


Kodi Postar: 60000


Emri i rrugës:



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Moderne


Shekulli: XX