Kulla e Sali Dreshajt
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes:
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Historiku
Kulla e Sali Bajram Dreshaj, Vrellë-Istog Në kuadrin e kompleksit të kullave në Vrellë të Istogut, në afërsi të Xhamisë së Tedelit, në Lagjen e Dreshajve ekziston Kulla e Sali Bajram Dreshaj. Ky ndërtim u realizua nga mjeshtrit Shqiptarë vendor dhe ata Dibran në fillim të shekullit XIX. Struktura e ndërtimit të kullës është me gurë të papërpunuar, ndërsa gurët e latuar janë përdorur në qoshe, korniza të dritareve, porta hyrëse dhe dyshekllëk. Gjithashtu është përdorur llaçi gëlqeror dhe materiali i drurit, ku në mure janë të vendosura hatulla. Karakteristikë e kullës është se Kulmi është i dalë jashtë murit perimetral dhe ka një strehë të gjatë mbi një metër. Është nga konstruksioni i drurit dhe i mbuluar me tjegulla tradicionale. Objekti ka etazhitet P+1, dhe e karakterizon shtrirja horizontale me gjatësi jo të zakonshme. Ka dyshekllëk guri që nuk del në formë anëcaku,. Skema kompozicionale e brendisë përbëhet nga përdhesa dhe kati i sipërm. Qasja në objekt realizohet përmes tri portave hyrëse nga druri me kornizë gjysmëharkore nga guri i latuar që gjendën në fasadën ballore. Njëra portë që gjendet në skajin e djathtë të objektit të shpie në hapësirën e ndarë për ahur të bagëtive. Ndërsa porta e cila gjendet në skajin e majtë të kullës, përmes korridorit të lidh me shtëpinë e zjarrit (mjedis ky që ishte në funksion të familjes për qëndrim ditor, si dhe përgatitjen e ushqimeve). Brenda korridorit, në afërsi të portës hyrëse nga druri, me kornizë harkore nga guri i latuar janë shkallët e drurit që krijojnë komunikim me katin e sipërm. Organizimi i katit të sipërm nuk përkon me organizimin e kullave tjera dukagjinase, ngase këtu paraqitet shembull i veçantë i renditjes së hapësirave të brendshme. Përpos dhomave të gjumit , gjendet edhe oda e burrave me divahane, si dhe nyja sanitare, mjedise këto që krijojnë lidhmëni përmes dy korridoreve. Krahas korridorit që komunikon nga brenda, ekziston edhe korridori që lidhet drejtpërdrejt me portën hyrëse në kat, tek e cila arrihet përmes shkallëve të jashtme, që tashmë tashmë nuk ekzistojnë. Kjo kullë është përdoruar si objekt banimi deri në luftën e vitit 1999, kurse sot nuk shfrytëzohet nga familjarët ngase nga detonimet e artilerisë serbe ka pësuar çarje dhe dëmtime të shumta, dhe si rrjedhojë ka ngelur jashtë përdorimit. Për shkak të vlerave historike që posedon kulla, meqë njihet si vatër e patriotëve shqiptar, është klasifikuar si prioritet i MKRS-së për intervenim emergjent. Prandaj projekti i restaurimit të Kullës është duke u realizuar nëpër faza me qëllim që të aftësohet për banim.