Lokaliteti arkeologjik Vindenis ‘Polanicë’

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 1985


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012



Historiku


Lokaliteti arkeologjik Vindenis gjendet në arealin e fshatit Gllamnik fare pranë lumit Llap, në komunën e Podujevës. Rëndësia e këtij lokaliteti që i takon periudhës romake (shekujt I-IV) dhe asaj të antikitetit të vonë (IV-VI), u dëshmua me rastin e gërmimeve arkeologjike të realizuar gjatë viteve 1980-86. Ndonëse gërmimet ishin mjaft modeste (u gërmuan gjithsej 534m2 ose vetëm 2% e arealit), ato ndriçuan gjurmë të antikitetit romak ku vlen të theksohen zbulimet e veçanta siç është Mozaiku i Orfeut, unik në Ballkan dhe më gjerë. Mozaiku i Orfeut edhe në ditët e sotme gjendet ne Muzeun Popullor te Beogradit dhe akoma nuk është kthyer ne muzeun amë, në Muzeun e Kosovës. Nga gjetjet më të rëndësishme në Vindenis vlen të veçohet një sarkofag tërësisht i punuar nga mermeri i bardhë (dim: 2,15 x 0,98 x 0,80 m) me çati dy ujore të stilizuar me katër akrotere në akse dhe e zbukuruar me stilin e luspave të peshkut. Supozohet se ky sarkofag bashkë me kapakun e saj peshon mbi 3 (tre) ton. Vindenis dallohet nga lokalitetet tjera arkeologjike romake të zbuluara në Kosovë, sidomos tek ritet e varrimit biritual si me inhumacion ashtu dhe me djegie apo incernacion. Po ashtu janë gjetur edhe fragmente të shumta të enëve, poçe si dhe enë qelqi dhe një sasi e konsiderueshme e monedhave të periudhës perandorake romake. Vindenis ishte njëri nga stacionet kryesore rrugore që gjendej në trasenë e rrugës Via Lissus (Lezhë)-Naissus (Nish), dhe kjo e dëshmuar nga gjeografi grek Ptolomeu i shek. II, si dhe në hartën e famshme të Konrad Peuntingerit. Paraprakisht mendohet se Vindenis, ishte një stacion i rëndësishëm rrugor që lidhte parasëgjithash Ulpianën me Ad Fines-sot banja e Kurshumlisë, për të vazhduar në drejtim të Naissusit. Nga të dhënat e mëparshme, si dhe nga incizimet gjeo-fizike, mendojmë se ky lokalitetit do të duhej të jetë i shtrirë në rreth 20 hektarë sipërfaqe. Ekipi i gjeofizikantëve dhe arkeologëve (gjermanë dhe kosovarë), gjatë realizimit të matjeve gjeofizike në arealin e paracaktuar, arriti të evidenton disa gjurmë të mirëfillta të strukturave të objekteve të ndërtuara nga materialet e gurit, tullave, tjegullave dhe llaçit. Studimet e kryera me magnetometër incizuan struktura të shumta të objekteve të ndryshme për banim por vlen të veçohet një objekt i veçantë me përmasa prej 150 x 150 m dhe me trashësi të mureve prej rreth 5m, që paraprakisht na indikon në gjurmë të një Castrumi garnizoni ushtarak romak.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 002121


Emri: Lokaliteti arkeologjik Vindenis ‘Polanicë’


Klasa: Lokalitet Arkeologjik


Institucioni: IAK



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Podujevë


Qyteti/Fshati: Gllamnik


Lokaliteti: Vindenis (Polanicë)


Kodi Postar: 11000


Emri i rrugës: Nuk ka



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkeologjike


Periudha: Romake


Shekulli: I