Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 1955


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012-2016


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: TKRKS2A001-2016



Historiku


Lokaliteti arkeologjik Ulpiana gjendet rreth 12 km në jug-lindje të Prishtinës, (Komuna e Graçanicës, Rajoni i Prishtinës), e pozicionuar ne tokat qe sot i takojnë fshatrave të Graçanicës, Llaplla Sellës dhe Hajvalisë. Lokaliteti arkeologjik shtrihet në më pak se 1000 metra (1.8 km në vijë rrugore), në perëndim të manastirit të Graçanicës, në një rrafshinë idilike që kufizohet në veri nga lumthi Graçanka dhe në jug nga kodrat e Drenocit. Qyteti i lashtë i Ulpianës përfshinte një vendbanim të fortifikuar prej mureve që mbulonte një sipërfaqe prej 35,5 hektarë, por kësaj hapësire të madhe të qytetit të Ulpianës duhet bashkangjitur edhe hapësira e Castrum-it (Garnizon fushor ushtarak romak) që gjendej rreth 100 metra larg murit lindor të qytetit dhe që kapte një sipërfaqe prej 16 hektarësh (400 x 400 m). Gjithashtu në suburbiumin verior dhe atë perëndimor ndodheshin nekropoli verior, gjegjësisht Memoria dhe Nekropoli perëndimor. Jashtë mureve të qyteti, fare pranë, janë dëshmuar edhe Nekropoli jugor si dhe Tuma në fushën Çerkeze. Sidoqoftë, mendohet se Ulpiana së bashku me rrethinë-suburbium mbulonte një sipërfaqe prej rreth 120 hektarëve. Parku Arkeologjik Ulpiana (Justiniana Secunda) është njëra nga qendrat më interesante arkeologjike në Kosovë (Dardani) dhe rajonin e gjerë të Gadishullit Ballkanik (Ilirik). Shtrirja pranë depozitimeve minerare/ xehetar të pasura me metale të çmueshme (Pb, Zn, Ag, Au); pozicionimi me toka pjellore dhe peizazh piktoresk përreth saj, si dhe pozita kyçe gjeostrategjike në një udhëkryq rrugësh antike që lidhte lindjen me perëndimin, ishin faktorë përcaktues për themelimin, zhvillimin dhe ekzistencën e saj shekullore. Rishtazi është dëshmuar se jeta dhe gjurmët e para të civilizimit në Ulpianë janë dëshmuar që nga periudhat e hershme parahistorike (Epoka e Gurit-Neolit). Jeta ka vazhduar edhe gjatë periudhës së bronzit dhe epokës së hekurit, apo e njohur ndryshe si koha e lashtësisë dardane. Megjithatë, formën e një qendre të urbanizuar Ulpiana e arrin disa dekada pas pushtimit të Mbretërisë Dardane nga romakët, gjegjësisht në fund të shekullit të parë pas Krishtit dhe zhvillohet nga një vendbanim i lashtë dardan apo opidum i koncentruar, në një vendbanim të gjerë dhe të hapur e mjaft të organizuar, ku shfaqen atributet e një qyteti tipik romak. Sipas disa të dhënave të shkruara, qyteti i urbanizuar dhe i fortifikuar i Ulpianës u themelua dhe u emërtua nga perandori romak Marcus ULPIUS Traianus (sundoi gjatë viteve 98-117), kohë kjo kur mendohet se e fiton statusin e Municipit (Municipium Ulpianum). Sidoqoftë, Ulpiana zhvillimin më të madh e ka arritur në periudhën në mes të shekujve III dhe IV pas Krishtit, periudhë kjo kur shndërrohet në një qendër të fortë politike, ekonomike dhe kulturore të një territori të gjerë në brendësi të Dardanisë duke u bërë pika kyçe e përhapjes së civilizimit antik romak. Qyteti në fjalë, gjatë kësaj periudhe kohore gëzonte epitetin Municipum Ulpiana Splendidissima - Municipi i Ulpianës madhështore apo të shkëlqyeshme, duke u karakterizuar me rrjete të rrugëve që kryqëzohen Cardo Maximus-Decumanus, sistem ortogonal të urbanizimit, ujësjellës, objekte të banimit si dhe me objekte publike, sakrale, profane e utilitare; gjithnjë duke qenë qendër urbane me rëndësi metalurgjike, zejtare, tregtare e bujqësore gjatë 5 shekujve të parë të mileniumit të parë, e posaçërisht qendër e rëndësishme religjioze gjatë sundimit të perandorit Justinian në shekullin VI, kohë kjo kur rindërtohet (pas tërmetit shkatërrues të vitit 518) dhe riemërtohet nga Ulpiana në Justiniana Secunda. Gjatë 60 viteve të fundit, qyteti antik i Ulpianës është shndërruar në një zonë studimi për arkeologë vendorë e ndërkombëtarë. Janë gjetur monumente të ndryshme, duke përfshirë një bazilikë peshkopale (Episcoporum Basilica) të antikitetit të vonë me një pagëzimore paleokristiane (Baptister) oktagonale, një bazilikë të fortifikuar me kulla rrethore, nekropoli verior dhe ai perëndimor, si edhe mbetje të një muri mbrojtës me kulla vëzhgimi dhe portë, një kala romake e garnizonit ushtarak, tempull pagan me portiko, gjurmë të termës (banjo), pjesë të rrugës Cardo Maximus dhe kanali për shkarkimin e ujërave Cloaca Maxima, si dhe qindra fragmente të artefakteve e strukturave të lashta. Të gjitha këto gjetje janë shumë të rëndësishme për fushën e arkeologjisë dhe për ta kuptuar Ulpianën antike. Artefaket/ekofaktet e grumbulluara janë dokumentuar dhe studiuar pjesërisht si dhe janë në proces të analizave të mëtejme nga specialistë të disiplinave të ndryshme shkencore të cilët së bashku kontribuojnë në përditësimin e mëtejshëm te të dhënave arkeologjike. Falë metodave dhe praktikave aktuale dhe me ndihmën e aparaturave apo pajisjeve të avancuara e të sofistikuara hulumtuese teknologjike shkencore, në një sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh janë bërë incizime gjeofizike, gjeomagnetike të tokës dhe nëntokës së Ulpianës. Këto metoda dhe teknika jo invazive, do të kontribuojnë që të kuptohet karakteri dhe natyra e Ulpianës, duke pasur parasysh shtrirjen e gjerë të Ulpianës (1.2 Km2). Gjatë periudhës së sundimit romak (shekujt I-IV pas Krishtit) dhe bizantin (shekujt IV-VI), Ulpiana ishte njëra nga qendrat kryesore gravituese komunikuese në mes të Konstantinopolit. dhe Romës dhe pikërisht shumë pranë qytetit antik bëhej kryqëzimi i rrugëve që lidhte detin Adriatik me detin Egje dhe indirekt edhe me Detin e Zi. Për më tepër, është e njohur nyja antike komunikuese Via Lissus-Naissus (Lezhë-Nish) dhe ajo e Scupit (Shkup), rrjete këto komunikuese tokësore që takoheshin mu pranë Ulpianës. Por qyteti antik i Ulpianës ka komunikuar dhe ka shkëmbyer mallra edhe me portet veriore të detit Mesdhe (Mediteran). Në vitin 1993, janë dëshmuar gjurmët e tregtisë deri në Haifa (Cesarea) të Israelit, ku në portin antik të saj, janë zbuluar ingote (shufra) të plumbit me mbishkrimin Met(alli) Dard(anici), që mendohet se janë nga minierat e Ulpianës. Falë rrjetit të rrugëve antike, si tokësore ashtu dhe detare, Ulpiana ka mbajtur marrëdhënie tregtare edhe me Italinë e veriut. Amfore të tipit Forlimpopoli (Provinca Forli-Cesena, Italia verilindore) janë zbuluar në vitin 2013 në depon e një domusi fare pranë tempullit pagan. Këto amfore janë përdorur në antikitet për ruajtjen dhe transportimin e verës, të vajit të ullirit, ullinjëve, drithërave, nënproduktet e peshkut (garum), etj. Zbulimet dhe gjetjet arkeologjike në Ulpianë pritet që të kontribuojnë në një promovim më të madh të këtij qyteti antik dhe zhvillimin e turizmit arkeologjik, për çka po punohet intensivisht në ngritjen e një infrastrukture arkeoturistike. Për shkak të vlerave të mëdha dhe bazuar në kriteret dhe vlerat historike, arkeologjike, artistike dhe shkencore, lokaliteti arkeologjik Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda është mbrojtur me ligj. Ulpiana është në mbrojtje të përhershme ligjore (Lista e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përhershme-KKTK, dhe ka numër unik të asetit TKRKS2A001). Me datë 24.10.2016, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar Rregulloren për Themelimin dhe Administrimin e Parkut Arkeologjik “Ulpiana”, nëpërmjet së cilës themelohet Parku Arkeologjik “Ulpiana” dhe përcaktohen mekanizmat për administrimin e tij. Parku Arkeologjik “Ulpiana” shtrihet në komunën e Graçanicës, zona kadastrale Graçanicë, ka perimetër 161.10 Ha dhe zonë rrethuese 96.23 Ha.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 002120


Emri: Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda


Klasa: Lokalitet Arkeologjik


Institucioni: IAK



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Graçanicë


Qyteti/Fshati: Graçanicë


Lokaliteti: Ulpiana (Park Arkeologjik)


Kodi Postar: 10500


Emri i rrugës:



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkeologjike


Periudha: Romake


Shekulli: I



Të rejat nga trashëgimia