Xhamia e fshatit Xërxë
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Xhamia gjendet në qendër të fshatit Xërxë, 10 km në jugperëndim të Rahovecit. Në bazë të mbishkrimit në hyrje, është ndërtuar nga Hysein Spahiu në vitin 1900. Që nga koha kur është ndërtuar e deri më tani ka kryer funksionin fetar si xhami e fshatit. Kompleksi i xhamisë përbëhet nga oborri që rrethohet nga muri rrethues, që e kufizon kompleksin nga rruga kah ana veriore dhe lindore, ndërtesa e xhamisë dhe ndërtesa e shfrytëzuar si sallë e takimit për banorët e lagjes në jugperëndim të oborrit. Ndërtesa e xhamisë ka dimensione modeste dhe i takon tipit të xhamive të fshatit. Në pjesën veriperëndimore gjendet hajati me planimetri drejtkëndëshe. Hajati fillimisht ka qenë i ndërtuar në përdhese të lartë, kurse gjatë vitit 2004 është ndarë me konstruksion meskatësh, duke e krijuar katin që shërben si sallë e zgjeruar e mahvilit - galerisë. Qasja në galeri bëhet nga shkallët e jashtme të vendosura në anën perëndimore. Salla e lutjes ka planimetri drejtkëndore e mbuluar me tavan të rrafshët, mbi të cilin gjendet kulmi katërujor i mbuluar me tjegulla. Qasja në sallën e lutjes bëhet nëpërmjet hajatit. Në enterierin e sallës së lutjes nuk janë ruajtur elementet origjinale. Minberi, gardhi i mahvilit dhe tavani janë punuar të reja nga druri. Minarja gjendet në murin perëndimor të xhamisë, ka bazë katërkëndëshe në lartësi deri në një metër, dhe ngushtohet duke formuar bazën rrethore deri në maje. Minarja është ndërtuar nga gurët e thyer vendorë. Ka një lartësi të vogël, mbulohet me kulmin në formë koni nga llamarina dhe karakterizohet me sherefen – ballkonin rrethor. Ndërhyrjet joprofesionale të realizuara ndër vite kanë reduktuar vlerat origjinale të kësaj xhamie.