Minarja e xhamisë së fshatit Drenoc

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015



Historiku


Komuna e Rahovecit dhe fshatrat e saj, respektivisht territori i tyre, ishte një qendër e rëndësishme kulturore por edhe administrative gjatë periudhave të ndryshme, banuar që nga antikiteti, gjë që dëshmojnë gjetjet e rastësishme të artefakteve. Edhe Periudha Osmane pa dyshim ka lënë gjurmë në këto treva. Ndër objektet e kësaj periudhe që janë ndërtuar nga banorët vendas, që i kanë përballuar fatkeqësive natyrore, e sidomos konflikteve ndryshme, janë xhamitë, teqetë, tyrbet, krojet, mullinjtë shtëpi-kullë etj. Këto objekte kanë vlera të larta historike, arkitektonike dhe estetike dhe janë dëshmi e gjallë që pasqyrojnë jetën dhe zhvillimin kulturor, ekonomik, social dhe shpirtëror të banorëve vendas-autoktonë. Një ndër objektet e kësaj trashëgimie është (ishte) edhe xhamia e vjetër në fshatin Drenoc. Fatkeqësisht, kjo ndërtesë që ka arritur të përballojë kushtet atmosferike dhe luftërat e konflikteve të ndryshme nuk arriti të përballojë injorancën dhe vetëdijen e ultë të individëve të caktuar, që pa hamendje e rrënojnë të vetmin monument kulture që ka pasur fshati. Në vend të kësaj xhamie ata e ndërtojnë një të re pak metra më tutje (veri) duke i hapur rrugën një pjese të lagjes që gjendet në anën jugore të saj. E vetmja fatmirësi nga ky akt destruktiv është mosrrënimi i minares, pra mbetet një gjurmë nga ky monument disa shekullor. Xhamia e vjetër si i vetmi monument në këtë fshat rrënohet në vitin 2010, derisa minarja e vjetër ngel në prapavijë (ballinë) të xhamisë së re. Minarja e xhamisë është ndërtuar me gurë shpuzë dhe është risuvatuar në vitin 1958, duke u bazuar në një gravurë të bërë në trupin e saj. Pjesa e poshtme e galerisë (sherefes) së minares është e zbukuruar me profilim modest, që është i zakonshëm për xhamitë e lagjes. Çatia e minares (kylhani) nuk është origjinale dhe është rindërtuar vonë. Pra, nga minarja ekzistuese origjinale është vetëm struktura ndërtimore, derisa suvaja dhe mbulesa janë të periudhës së vonshme. Bazamenti i minares është gjashtëkëndësh ndërsa minarja në formë rrethore. Në sherefe arrihet me shkallët spirale. Gjatë restaurimit të vitit 2012, bazamenti i minares është pastruar dhe është konservuar me llaç gëlqeror horosan. Gardhi mbrojtës i galerisë është riparuar duke rivendosur gurë shpuzë që mungonin dhe llaç gëlqeror si material lidhës. Konstruksioni i çatisë është rindërtuar tërësisht me material druri dhe është mbuluar me pllaka të plumbit. Në maje të saj është rivendosur dekor i ri (“alemi”) pasi ai ekzistuesi nuk ishte origjinal dhe ishte shumë i dëmtuar. Komplet minarja është suvatuar me llaç gëlqeror horosan në përjashtim të një pjese të saj rreh 1m², duke lënë gjurmë për të treguar strukturën e muratimit. Pas restaurimit të vitit 2012 minarja sot është në gjendje të mirë.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 001805


Emri: Minarja e xhamisë së fshatit Drenoc


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Rahovec


Qyteti/Fshati: Drenoc


Lokaliteti: Qendra e fshatit


Kodi Postar: 21000


Emri i rrugës:



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVIII