Teqja e Melamive
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 23.10.2002
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Teqeja e tarikatit Melami gjendet në pjesën perëndimore të qendrës së vjetër të Rahovecit. Kjo teqe është themeluar nga Sheh Abdyl Maliq Efendi Hilmiu në vitin 1887, ndërsa pasuesit e tij ishin Sheh Emin Efendi Durguti dhe Sheh Sulemjan Efendi Kollari. Teqeja gjatë historisë së saj, krahas funksionit të predikimit të fesë islame, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm edhe në arsimimin dhe edukimin e të rinjve në gjuhën shqipe. Sheh Maliqi i quajtur në popull si Sheh Mala ka qenë njëri prej personaliteteve më të shquara të historisë së kulturës dhe arsimimit në Rahovec. Ai pas vetes ka lënë dorëshkrime tëdivanit – poezive të shkruara në gjuhën shqipe, me alfabetin arab dhe disa përkthime të librave të vjetra fetare nga gjuha arabe në gjuhën shqipe. Kompleksi i teqesë përbëhet nga oborri, ndërtesa e teqesë dhe tyrbja. Teqeja ka planimetri drejtkëndore, të mbuluar me kulm katërujor me tjegulla argjile. Në pjesën ballore gjendet hajati - portiku gjysmë i hapur, prej nga pason qasja për në dhomën e oxhakut dhe semahanja – dhoma e lutjeve, në anën jugore të saj. Në enterier të semahanes, në murin juglindor, është i vendosur mihrabi, me planimetri gjysmërrethore, i cili në pjesën e sipërme përfundon në trajtë të piramidës së shkallëzuar. Në semahane janë ruajtur dokumentet e vjetra që prezantojnë gjenealogjinë e zhvillimit të tarikatit Melami në Rahovec, disa vegla të vjetra, si dhe divanët – vjershat e shkruara nga Sheh Mala, në gjuhën shqipe me alfabetin arab. Pranë teqesë, në këndin jugor, gjendet tyrbja gjithashtu me planimetri drejtkëndëshe, ku është i varrosur themeluesi i teqesë Sheh Mala. Ndërtesa e vjetër e teqesë, e ndërtuar në vitin 1887, ka pasur bodrum, përdhese dhe kat, dhe ishte e ndërtuar nga tullat prej qerpiçi, kurse kulmi katërujor ka qenë i mbuluar me rrasa guri. Në vitin 1974 rrënohet teqeja e vjetër, kurse ndërtesa e re ndërtohet mbi themelet e asaj ekzistuese. Muret janë ndërtuar në përdhese, me tulla të plota argjile, kurse kulmi katërujor mbulohet me tjegulla argjile. Pamja aktuale e teqesë nuk ruan karakteristikat e arkitekturës vendore të Rahovecit. Pas vdekjes së Sheh Sylejman Efendi Kollarit në vitet ‘90teqeja ka mbetur pa udhëheqës shpirtëror dhe veprimtaria e saj është duke u shuar.
Emërtimet dhe Referimet
Numri Unik: 001793
Emri: Teqja e Melamive
Klasa: Monument
Institucioni: QRTK – Prizren
Lokacioni
Shteti: Kosove
Komuna: Rahovec
Qyteti/Fshati: Rahovec
Lokaliteti: Afër qendrës
Kodi Postar: 21000
Emri i rrugës: "Sheh Mala" - p.n.
Lloji funksional dhe datimi
Lloji (Tipi): Arkitektuale
Periudha: Osmane
Shekulli: XIX
Të rejat nga trashëgimia
Shtëpia e familjes Spasiç
Kroi i vjetër
Kulla e Ismet Çemegës
Tyrbja e Baba Hasanit
Minarja e xhamisë së fshatit Drenoc