Sahat kulla - Rahovec

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012



Historiku


Sahat Kulla ndodhet në lagjen Gradina, në qendrën e vjetër të Rahovecit. Është ndërtuar nga Mahmud Pashë Rrotulli gjatë shek. XVIII. Mbi portën në anën veri-lindore në gur të gdhendur gjendet mbishkrimi në gjuhën osmane - viti i ndërtimit sipas kalendarit të Hixhrit 1206, që përkon me vitin 1792. Sahat Kulla ka një pozitë strategjike, duke paraqitur pikën më të lartë në siluetën e Rahovecit. Ajo ka shërbyer për orientimin e banorëve për kohën dhe si pikë strategjike vrojtuese. Sahat Kulla ka planimetri drejtkëndëshe, e ndërtuar me gurë me forma të ndryshme, të lidhur me llaç gëlqeror. Gurët në kënde të bazës janë të gdhendura me formë drejtkëndëshe, duke krijuar në këtë mënyrë kënde të theksuara përgjatë katër fasadave. Ndërtesa nuk është e suvatuar, ku shihet qartë struktura e muratimit. Pjesa e sipërme mbulohet me një kulm katër ujor, të mbuluar me pllaka plumbi. Mbi kulmin katër ujor shtrihet vrojtorja me planimetri katrore, ku është e vendosur kambana. Kjo vrojtore gjithashtu është e mbuluar me kulm katër ujor, me pllaka të plumbit. Hyrja në Sahat Kullë realizohet nëpërmjet shkallëve të jashtme nga guri, të vendosura në anën veri-lindore. Shkallët nga guri shpijnë në portën hyrëse nga druri, me kornizë gjysmë rrethore nga gur të gdhendur. Nga porta, në brendi gjendet shkallët e drurit që shpijnë në pjesën e sipërme. Në enterier të Sahat Kullës gjendet mekanizmi i orës, me mbishkrim të gdhendur LEOPOLD DPABEINGER in SSJENN A793, që nënkupton vitin e prodhimit 1793. Ora e cila ka qenë e vendosur në kullë nuk funksionon dhe është ruajtur në hapësirat e Muzeut të Rahovecit. Gjatë viteve 2009-2010 me donacione të OJQ Cultural Heritage without Borders dhe Komunës së Rahovecit është bërë restaurimi i tërësishëm i Sahat Kullës, me ç’rast është vendosur një orë e re. Me pozitën e saj dominonte në peizazhin e qytetit dhe formën karakteristike, Sahat Kulla në Rahovec paraqet një monument më rëndësi të veçantë historike, artistike, shoqërore dhe shkencore.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 001768


Emri: Sahat kulla - Rahovec


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Rahovec


Qyteti/Fshati: Rahovec


Lokaliteti: Gradina


Kodi Postar: 21010


Emri i rrugës:



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVIII