Kulla e Mahmud Pashës
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2010
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Kulla e Mahmud Pashës gjendet në qendër të fshatit Opterushë, 8 km në lindje të Rahovecit. Në popull njihet si Kulla e Mahmud Pashës dhe supozohet që është ndërtuar gjatë shek. XIX nga Mahmud Pashë Rrotulli, i cili ka ndërtuar edhe Sahat Kullën në Rahovec, dhe monumente të tjera në Prizren, Mamushë dhe Budakovë. Kulla i ka veçoritë karakteristike të kullave që janë ndërtuar gjatë shek. XIX në rrafshin e Dukagjinit dhe kanë shërbyer si hapësirë për banim, shoqërim, vrojtim dhe mbrojtje. Ka planimetri katrore me brinjë 6 metra. Është e ndërtuar në përdhese dhe dy kate. Përdhesja ka shërbyer si ambient ekonomik, si ahur i bagëtisë së mysafirëve. Kati i parë është shfrytëzuar për akomodimin e mysafirëve dhe për takime të ndryshme, ndërsa kati i dytë ka shërbyer për vrojtim të gjendjes jashtë kullës. Kulla në fillim supozohet të ketë pasur edhe qoshkun, i cili gjatë transformimeve ndërkohë është shkatërruar. Muret janë ndërtuar me trashësi 80 cm, nga gurë vendorë, të formave të parregullta të lidhur me llaç gëlqeror. Kulmi është punuar nga konstruksioni i drurit, katërujor, i mbuluar me rrasa guri – mbulesë karakteristike e kulmeve të rajonit të Rahovecit. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot, kulla ka pësuar transformime të numërta. Gjatë shek. XIX kulla ka pasur funksion administrativ dhe ka shërbyer si ndërtesë komunale, nga e cila janë menaxhuar disa fshatra përreth saj. Më vonë, gjatë periudhës jugosllave, është shfrytëzuar për çështje politike. Në fazën e fundit i është dhënë në shfrytëzim një fshatari vendas, i cili e ka adaptuar kullën për shfrytëzim si mulli. Gjatë vitit 1999 kulla ka pësuar dëmtime serioze, që kanë shkaktuar rrënimin e strukturës së kulmit, konstruksionit meskatësh dhe pjesës dërmuese të strukturës së mureve. Ndërhyrjet restauruese të vitit 2014 kanë ndikuar në konsolidimin e strukturës së kullës, duke i rikthyer vlerat këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të rajonit të Rahovecit.