Oda e Fevzi Hoxhës
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2021
Historiku
Në fshatin Cernicë, rreth 8 km në jug-perëndim të Gjilanit, gjendet Oda e Mulla Vehbiut, tani pronë e nipit të tij Fevzi Hoxhës (1932). Sipas Fevziut, oda është ndërtuar në vitin 1928, nga gjyshi i tij, mulla Vehbi Hoxha. Mjeshtër për ndërtimin e saj kanë qenë djemtë e Hysen Hoxhës. Oda ka planimetri drejtkëndëshe dhe është e ndërtuar në përdhese dhe kat. Përdhesja për një kohë është shfrytëzuar si mejtep (shkollë e fshatit). Kurse në katin e parë është vendosur oda. Oda paraqet hapësirën ku mblidhen meshkujt e një familjeje apo fshati për diskutime të ndryshme shoqërore, familjare, e politike, dhe si dhomë e mysafirëve. Hyrja në odë bëhet nga shkallët e drurit që janë vendosur në përdhese, në pjesën lindore. Para hyrjes është edhe hajati i gjysmë hapur. Sipërfaqja e odës është rreth 50 m2. Në enterier janë ruajtur elementet origjinale, jyklyku -që përdorej për vendosjen e dyshekëve dhe jorganëve, dy trapazanë të vendosur në dy anët e fillimit të odës aty ku është edhe hyrja. Oda ka qenë e rrethuar me mindere të cilët janë shkatërruar nga koha, janë edhe dy dollapë ku janë mbajtur takëmet e kafesë: sheqeri, kafeja, duhani etj. Dy dritare të vogla shikojnë kah lindja, ndërsa ajo më e madhja shikon nga jugu. Materiali për ndërtimin e objektit, kryesisht është guri i punuar dhe i lidhur me llaç balte dhe trarët e drurit në formë hatullash. Konstruksioni mes-kat është punuar nga druri, nga trarët e vendosur në dy drejtime. Shtyllat në përdhese janë gjithashtu nga druri me kapitel të dekoruar në formë gjeometrike. Ndërtesa është e mbuluar me kulm katër ujor, të mbuluar me tjegulla argjile. Fasada është lineare e suvatuar me llaç balte. Hajati i vendosur në anën lindore krijon dinamikë të dritë-hijes. Në oborrin e odës gjenden edhe objekte tjera, shtëpia, hambari dhe koshi, të cilat së bashku e formojnë një kompleks të arkitekturës së banimit në zonat rurale. Në vitin 2013 MKRS dhe CHwB kanë realizuar projektin për itervenim emergjent. Opinion nga ekipi i QRTK-së, Gjilan, me rastin e vizitës në nëntor të vitit 2021: Oda e Fevzi Hoxhës, paraqet vlerë kulturore, tradicionale, pjesë e pandashme e familjes shqiptare. Sipas vlerësimit të ekipit duhet të mbetet në listën e LTKMP.