Mejtepi i fshatit Llukë e Epërme

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011



Historiku


Mejtepi i Tahir Efendi Llukës, Lluka e epërme-Deçan Në qendër të fshatit Llukë e epërme gjendet Mejtepi që njihet si Mejtepi i Tahir Efendi Llukës. Objekti është ndërtuar në fund të shekullit XVIII nga mjeshtrit popullor shqiptarë. Struktura e ndërtimit na përkujton kullat e Rrafshit të Dukagjinit, meqë u realizua në teknikën rustika, ku muret janë nga gurët lumor të pa latuar, ndërsa hapjet portali, dritaret dhe qoshet e objektit u muratuan me gurë të përpunuar. Baza e Mejtepit është drejtkëndore me dimensione 9.35x7.96m. Në brendi kemi mimberin nga druri si i vetmi element tipik. Kulmi me konstruksion druri është katërujor dhe i mbuluar me tjegulla tradicionale. Pos vlerës arkitektonike posedon edhe rendësin historike, sepse ishte shkollë e parë shqipe në këtë anë. Mësohet se ndërtues ishte pronari i truallit ku u ndërtua Mejtepi. Pra Tahir Efendi Lluka në vitin 1900 ndërtoi mejtepin për të punuar vet si mësimdhënës. Ai kishte angazhuar edhe një hoxhë nga Carrabregu. Në këtë shkollë krahas arabishtes, mësohej gjuha shqipe. Dhe në saje të datimeve rezulton se kjo edhe mund të jetë shkolla e parë shqipe në Kosovë. Me qëllim të mirëmbajtjes së shkollës, Tahir Efendi Lluka kishte hapur një dyqan në një dhomë të objektit. Të dhënat e shkruara për mektepin (emërtim asokohe) në Llukën e epërme, kemi nga vetë Tahir Efendi Lluka, i cili në libërthin e tij “Risale-i Ahlak” (Broshurë mbi moralin) na njofton për angazhimin e tij që fëmijët të mund të mësonin shqip. Në përbërjen e shkollës së tij kishte djem dhe vajza, të cilët lexonin në gjuhën shqipe. Ai thekson vlerën e gjuhës amtare, sidomos shkrim-leximin që do ta shkëpusë nga prapambetja kombin tonë dhe do ta radhisë krahas kombeve të tjera të qytetëruara. Fakti që mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe (sado që veprimtaria e Tahir Llukës zhvillohej në mejtep edhe me grafi arabe) nuk u shkonte për shtati qeveritarëve turq. Prandaj kjo veprimtari arsimore në gjuhën shqipe e Tahir Efendi Llukës, u bë hale në sy e pushtetit turk. Lluka shkoi në Stamboll, por aty nuk arriti ta shlyente akuzën se po i mësonte fëmijët “Kaurrisht” dhe as të kthehej më në vendlindje. Mendohet se kishte vdekur më 1908, pa u ditur rrethanat e vdekjes. Monumenti krahas vlerave historike, ka veçantit arkitekturore. Përgjatë viteve i është shtuar një korridor i ndërtuar nga bllokat e argjilës prej nga bëhet hyrja në hapësirën e objektit. Ai ruan gjendjen fillestare, me disa ndryshime të mëvonshme si në muratim po ashtu edhe në suvatimin e fasadave të jashtme, kuptohet pas intervenimit restaurues (pas luftës) nga MKRS, ku fasadave nga guri ju është larguar llaçi dhe tashmë kanë dal në pah edhe kornizat rrethore të dritareve që dëshmojnë origjinalitetin e ndërtimit. Ndërhyrje pati në shumë pjesë të ndërtesës, si në pullaz, fasada (ku u hapë një portë) e re e drurit, dhe u restauruan katër dritare gjysmëharkore në fasadën ballore dhe dy në fasadën lindore, duke ruajtur origjinalitetin. Gjithashtu hapësira e brendshme u restaurua në tërësi. Objekti është në shfrytëzim të besimtare dhe i hapur për vizitor. 1.Tahir Efendi Lluka; "Broshurë për moralin" ("Risale-i ahlak"),"Mevludi"dorëshkrimi"Urata e besimtarëve", Arkivin Shtetëror të Kosovës (fondi i Jusuf Latës, nr. 191/2),



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 001622


Emri: Mejtepi i fshatit Llukë e Epërme


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Pejë



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Pejë


Qyteti/Fshati: Llukë e Epërme


Lokaliteti: Mejtepi i fshatit Llukë e Epërme


Kodi Postar: 51000


Emri i rrugës: Fshati lluke e eperme



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVIII