Xhamia e Deçanit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Historiku
Xhamia e Deçanit Në rrugën kryesore, në Deçanin e vjetër gjendet Xhamia e Deçanit, që si objekt sakral islam është ndërtuar në vitin 1851, dhe është ndër monumentet me arkitekturë të vjetër dhe të njohur osmane. Xhamia i takon stilit islamo-shqiptar. Arkitekturën e ka tipike për mjeshtrit e kësaj ane. Themelet dhe muret e xhamisë janë ndërtuar nga gurët e papërpunuar lumor, të përforcuara me hatulla horizontale nga druri dhe llaçi gëlqeror. Qoshet e xhamisë, profilet e dyerve dhe dritareve janë të muratuara me gurë të përpunuar. Ndërsa konstruksioni i kulmit është katër ujor i mbuluar me tjegulla tradicionale. E gjithë ndërtesa ka hapje harkore. Teknika e realizimit identifikohet me strukturën ndërtimore të kullave dhe mu për këtë Xhamia inkorporohet me ambientin e kompleksit të vjetër të Deçanit. Objekti ka bazë kënddrejtë, me dimensione 16.25m X 11.60 m. Qasja në xhami bëhet përmes hajatit të hapur i cili është i ngritur mbi katër shtylla druri që karakterizohen me kapitel të dekoruar me drugdhendje, mbuluar me strehë nga konstruksioni i drurit dhe tjegulla tradicionale. Përmes portës hyrëse nga druri, me profil harkor nga guri, e cila gjendet në fasadën veriore të ndërtesës arrihet në sallë. Përballë derës hyrëse të sallës së lutjeve në pjesën qendrore të murit gjendet mihrabi. Përderisa aty kemi edhe minberin dhe hytben të ndërtuara nga druri dhe të dekoruara. Në sallë gjendet edhe hapësira nën ballkon ku falet myezini. Në Mahfil arrihet me anë të shkallëve të drurit, të cilat bëjnë komunikimin me kat. Mahfili i drurit në formë ballkoni qëndron mbi shtylla druri dhe është i rrethuar me gardh nga druri i dekoruar. Muret e brendshme të sallës janë të gëlqerosura me ngjyrë të bardhë. Në tavanin e drurit qëndrojnë të varur disa llambadarë. Minarja që gjendet në fasadën perëndimore qëndron mbi bazamentin me strukturë të gurit, trupi i saj është ndërtuar me teknikën e njëjtë. Sherefetë i ka të ndërtuara dhe të rrethuara me beton, kurse kulmi i minares është në formë të cilindrit mbuluar me llamarinë. Monumenti është i rrethuar nga muri i gurit. Muri përmban portën harkore me kapak nga druri, e cila është e mbuluar me strehë nga konstruksioni i drurit dhe tjegulla tradicionale. Përderisa në gjithë murin gjejmë edhe hapje të dritareve katërkëndore. Në rrethinën e saj ndodhen një numër i madh varreve, dhe nga këto shumë varre janë me mbishkrime. Në mesin e tyre para hyrjes në xhami gjendet avdeshana gjashtë këndeshe. Xhamia gjatë luftës së fundit 1998/99 u dogj tërësisht, dhe nga ndërtimi në fjalë ngelën vetëm muret. Ky monument sakral islamo-shqiptar nuk ka ndërruar destinim, ndaj edhe nuk ka pësuar transformime të dukshme. Gjatë restaurimit të vitit 2003 i është kthyer krejtësisht pamja origjinale dhe xhamia ka marrë funksionin e mëparshëm. Prandaj sot vazhdon të shfrytëzohet nga banorët shqiptarë të besimit islam të Deçanit. Sot aty falen 5 vakte të namazit, dhe predikimet janë në gjuhën shqipe. Se bashku me vendin e fundit të xhamisë, xhamia mund të pranoj nga xhemati përafërsisht 300 besimtar.