Mulliri i Shabanajve
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Historiku
Mulliri i Shabanajve – Deçan Në qendër të Deçanit gjendet një nga objektet më të vjetra të qytezës i quajtur Mulliri i Shabanajve, pronë e familjes Cacaj, i ndërtuar në shek. XIX nga mjeshtrit popullorë vendorë. Ky mulli si objekt publik shërbente për nevojat e popullatës së Deçanit dhe më gjerë për bluarjen e drithërave. Ishte ndërtim tipik agrar i shek. XIX. Objekti i takon tipit të mullinjve me ujë dhe ka vetëm një hapësirë. Pjesa që qëndronte mbi rrjedhën e lumit është e mbuluar nga ana e jashtme me hark nga gurët paksa të përpunuar. Me bazë katërkëndëshe objekti si tërësi është ndërtuar me gurë të latuar dhe më pak të latuar (rustika). Ka çati të thjeshtë katërujore dhe është i mbuluar me tjegulla tradicionale. Në funksion të bluarjes kanë qenë dy gurë të mullirit të cilët funksionin me anë të ujit.. Në saje të rëndësisë së veçantë , që kishte mulliri Shabanaj në mbamendjen e popullatës së Deçanit, pavarësisht se ishte në gjendje të shkatërruar, pas luftës u përzgjodh që të rindërtohet për shfrytëzim si qendër e komunitetit. Ndaj me ndihmën e Ministrisë së jashtme të Italisë, dhe OJQ italiane ,,INTERSOS” , ky mulli u restaurua në vitin 2005. Objektit pas restaurimit iu ka kthyer pamja origjinale. Aktualisht mulliri shërben për ekspozita të ndryshme, me theks në ekspozimin e zejeve tradicionale- veshjeve tradicionale të trevës së Dukagjinit.