Minarja e Arasta xhamisë

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 1300/70


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2010


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2011


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2012



Historiku


Në pjesën e vjetër të Prizrenit në anën e djathtë të lumit Lumbardhë, Evrenos-Zade Jakup Beu mes viteve 1526 dhe 1538 ndërtoi mesxhidin (xhaminë) ku pastaj ndërtohet edhe minarja. Pasi që xhamia gjendej në kompleksin tradicional të dyqaneve – “Arasta”, atëherë kryesisht tregtarët e shfrytëzonin objektin për lutje. Xhamia ishte ndërtuar në dy kate ku pjesën e përdheses tregtarët e shfrytëzonin për ruajtjen e mallit dhe si zyre, ndërsa pjesa e katit shfrytëzohej si hapësirë për lutje. Xhamia kishte planimetri drejtkëndëshe, e mbuluar me kulm katër ujor me tjegulla argjile. Gjatë kohës objekti ka pasur disa renovime ku restaurimi i fundit ishte bërë në vitin 1911. Xhamia e Arastës ka pasur funksionin burimor deri në vitin 1960. Për të zhdukur pamjen e një qyteti oriental, qeveria e atëhershme duke u thirrur në “modernizimin” e qytetit rrënoi komplekse të tëra në bërthamën e vjetër të Prizrenit, ku fatkeqësisht edhe xhamia së bashku me lagjen Arasta rrënohet dhe ndërtohen banesa shumëkatëshe dhe objekti i Bankës, duke u zhdukur kështu në mënyrë totale pamja burimore e kësaj pjese të qytetit. Nga xhamia e Arastës mbetet pa u rrënuar vetëm Minarja. Minarja është e ndërtuar nga gurë shtufe të lidhur me llaç gëlqeror. Nuk është e suvatuar, prandaj struktura shihet qartë. Ka bazë katrore, me një derë druri në murin lindor që shpien në shkallët e drurit në brendi të minares. Trungu i minares ka bazë rrethore, dhe në lartësi të saj gjendet sherefeja e dekoruar me motive gjeometrike. Minarja mbulohet me kulm (kulah) në formë konike të mbuluar me pllaka plumbi. Karakteristike për këtë minare është Ylli i Davidit i gdhendur në gur në trungun e saj. Në vitin 1970 minarja e xhamisë restaurohet dhe konservohet me ç’rast regjistrohet si monument kulture. Deri në vitin 2007 minarja lihet pa përkujdesje, ku me përkrahjen e Organizatës Joqeveritare Cultural Heritage without Borders dhe Kuvendit Komunal të Prizrenit, bëhet restaurimi dhe konservimi e saj. Minarja e Xhamisë Arasta qëndron si dëshmi materiale e ndryshimeve të bëra gjatë periudhave të ndryshme në historinë e qytetit.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 001395


Emri: Minarja e Arasta xhamisë


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Prizren


Qyteti/Fshati: Prizren


Lokaliteti: Arasta-Saraçhana


Kodi Postar: 20000


Emri i rrugës: “Adem Jashari”



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XVI