Mulliri i vjetër i familjes Buzhala
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015
Historiku
Mulliri i vjetër i familjes Buzhala gjendet në fshatin Budakovë, në lagjen“Buzhala”, komuna e Suharekës, pranë rrugës që lidh fshatin Vraniq me fshatin Buzhalë. Qasja në mulli mundësohet nga një rrugë dytësore që lidhet me rrugën kryesore të fshatit. Përballë mullirit gjenden varrezat të lagjes “Buzhala”, konkretisht pranë rrugës kryesore të fshatit. Mulliri në fjalë është monument i rëndësishëm historik sepse është pronë e familjes së Hasan Hysen Budakovës(1860-1935), bashkëluftëtar i Isë Boletinit dhe Idriz Seferit. Sipas pronarëve të sotëm, mulliri u ndërtua rreth vitit 1950 nga Iljaz Buzhala, nipi i Hasan Hysen Budakovës, mbi themele të një mulliri, sipas supozimeve mbi 200 vite më i hershëm. Nga aspekti socio-ekonomik, mulliri i vjetër prej themelimit të tij ka shërbyer për bluarjen e misrit dhe të grurit, ku ka funksionuar deri në vitin 2004,prandaj ishte faktor i rëndësishëm për pronarët dhe për fshatarët e vendit. Nga aspekti arkitektonik mulliri ka planimetri drejtkëndëshe në përdhese, e ndërtuar me mure prej gurësh vendorë, të lidhur me llaç balte dhe me kashtë. Vlen të theksohet vija e lugut të pjerrët, e cila shërbeu për funksionimin e mekanizmit të mullirit, ku akoma sot kalon përmes hapësirës së brendshme të mullirit dhe derdhet në lumin Buzhala. Ndërkaq, elementet e mekanizmit të mullirit janë origjinale prej druri: çakalla, gurët e mullirit, koshi, magjja, dërrasa, perla, lugu, druri, shega, tokmaku etj. Hyrja në mulli mundësohet nga fasada juglindore. Poashtu, anash në të dy anët e derës hyrëse gjenden edhe dritaret me kornizë prej druri dhe grila hekuri, që shërbejnë për ndriçimin e hapësirës së brendshme të mullirit. Kulmi është dyujor, i mbuluar me rrasa të gurit. Dyshemeja brenda hapësirës së mullirit është e shtruar me dhe të ngjeshur. Për shkak të vjetërsisë së ndërtesës dhe mosmirëmbajtjes së duhur, mulliri nuk ishte në gjendje të mirë dhe rrezikohej nga dëmtimet e mëtejme, prandaj u meremetua në vitin 2014, në kuadër të Programit të Intervenimeve Emergjente nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, CHwB. Gjatë punimeve, në bashkëpunim me pronarin, u montua dera origjinale e mullirit, e cila është prej druri. Për shkak të mungesës në trajtimin e mekanizmit të çarkut, momentalisht mulliri është jashtë funksionit.