Kulla e Jonuz Hasan Tafollit

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: 2002


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2014-2015



Historiku


Kulla e Jonuz HasanTafollit gjendet në fshatin Çadrak të komunës së Suharekës. Gjendet në lagjen “Tafolli”, me fasadën ballore të orientuar kah juglindja. Në kuadër të kullës gjendet oborri dhe një shtëpi e re. Në afërsi të kullës gjendet një shtëpi dykatëshe e ndërtuar prej guri. Kulla është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer gjatë tërë kohës për banim dhe për ruajtjen e bagëtisë. Është ndërtuar në terren të pjerrët, në dy nivele: suterren dhe kat. Themelet janë ndërtuara prej guri. Muret janë ndërtuar prej guri të lidhur me llaç balte dhe të përforcuara me hatulla druri të vendosura në breza horizontale në largësi nga 1m. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Strehët janë të gjera, ndërkaq kulmi është i mbuluar me rrasa guri. Në suterren gjendet vetëm ahuri, ndërkaq në kat korridori me çardakun dhe oda. Qasja në kullë realizohet nga rruga me anë të derës së madhe prej druri. Hyrja në suterren realizohet nga oborri, nga ana perëndimore e shtëpisë, me anë të derës së vogël prej druri. Këtu gjendet vetëm ahuri me një dritare prej druri në fasadën ballore. Hyrja në kat realizohet nga oborri, gjithashtu nga ana perëndimore e shtëpisë, me anë të disa shkallëve të jashtme prej guri dhe derës së vogël prej druri. Në odë gjendet oxhaku dhe një kamare në mur. Çardaku shtrihet në fasadën ballore të katit. Del jashtë fasadës në formë të erkerit rreth 50 cm, mbahet me muret konstruktive dhe 5 shtylla druri, si dhe rrethohet me dërrasa. Gjendja aktuale e objektit është e dobët sepse uji rrjedhë nga pullazi. Një pjesë e murit pranë shkallëve hyrëse është dëmtuar me granatë nga lufta e fundit. Po ashtu, muri i oxhakut është mjaft i dëmtuar, ndërsa dyshemeja dhe pullazi janë pjesërisht të dëmtuara. Kulla ruhet në gjendje origjinale, por ajo si dhe një shtëpi e re e ndërtuar në oborr janë të pabanuara.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 001208


Emri: Kulla e Jonuz Hasan Tafollit


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Prizren



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Suharekë


Qyteti/Fshati: Çadrak


Lokaliteti: Lagjja “Tafolli”


Kodi Postar: 23000


Emri i rrugës: Lagja Tafolli



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Osmane


Shekulli: XIX