Kalaja e antikitetit të vonë në Topanicë
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes: Qershor 2007
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014
Historiku
Lokaliteti arkeologjik shtrihet në lindje të fshatit Topanicë në kufi me fshatin Domorovc. Njihet në mesin e banorëve vendas me toponimin “Gradec“ me lartësi mbidetare prej 480 m. Vendbanimi është i vendosur mbi një kodër te lartë shkëmbore, pjesërisht të pyllëzuar, e cila ofron mbrojtje të mirë natyrore dhe shtrihet në pikë takimin e dy lumenjve ku nga ana lindore kalon lumi Krivarekë, degë e lumit të Moravës së Binçs, ndërsa në drejtim të jugperëndimit kalon një përroskë e vogël e cila derdhet në lumin Krivarekë. Gjurmë të vendbanimit janë konstatuar po ashtu edhe ne pjesën e poshtme te kodrës nga ana verilindore dhe perëndimore ne një terren fushor duke rritur kështu shtrirjen e vendbanimit në një sipërfaqe prej rreth 6 ha. Kodra është e ngritur mbi një shkëmb natyror dhe ka formë eliptike me orientim veri jug. Pjesa më e lartë e kodrës është relativisht e sheshtë me një pjerrtësi të lehtë nga lindore e saj. Pozita e mirë gjeografike e kodrës i ka mundësuar një mbrojtje të mirë natyrore nga ana jugperëndimore, ku faqet e kodrës janë tërësisht shkëmbore. Nga ana verilindore ka një qasje dukshëm me të lehtë, dhe përbëhet nga dy tarraca të vogla natyrale që shkallëzohen njëra pranë tjetrës dhe zbresin në terrenin fushor. Të dhënat e para mbi këtë vendbanim datojnë që nga vitet e 50 ta, nga përnjohjet e Muzeut te Kosovës. Gjatë përnjohjeve arkeologjike të viteve 2015-16, është arritur të evidentohen mbi sipërfaqe sasi e konsiderueshme e materialit arkeologjik. Gjetjet sipërfaqësore në masë te madhe shtrihen në terrenin fushor, kryesisht në anën veri perëndimore dhe veri lindore të qafës së kodrës. Instituti Arkeologjik, gjatë muajt shtator ka zhvilluar gërmime sondazhi në kuadër të projektit: “Plotësimi më të dhëna shtesë i Hartës Arkeologjike të Kosovës me vendbanime dhe nekropole iliro-dardane“. Si qellim ishte që të krijohet një ide rreth depozitimeve kulturore dhe kronologjisë se vendbanimit. Gërmimet janë realizuar në pjesën verilindore të vendbanimit, aty ku gjetjet sipërfaqësore ishin më të mëdha. Janë gërmuar 3 sonda me përmasa 2.00 x 1.50 m. Gërmimet arkeologjike të vitit 2017 sollën të dhëna të reja për vlerësimin kronologjikë-kulturor të këtij vendbanimi. Mbështetur në materialin sipërfaqësor nga te gjitha fushatat përnjohëse si dhe nga gërmimet arkeologjike mund të konkludojme se ky vendbanim ku filluar se banuari në Epokës Eneolitike, pastaj është dëshmuar periudha e Bronzit dhe ajo e Hekurit, periudha Klasike-Helenistike si dhe Antikitetit të Vonë -Mesjetës së Hershme.