Xhamia e Xhylfahatunit
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes:
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Historiku
Xhamia e Gjylfatynit Xhamia e Gjylfatynit ndodhet në lagjen Karagaqi në Pejë. Si objekt sakral islam është ndërtuar në periudhën e sundimit osman. Emri i kësaj xhamie ndërlidhet me legjendën mbi një grua me emrin Gjylfatyn. Të dhënat për ngritjen e saj lëvizin në kohë. Sipas Ayverdit kjo xhami në literaturën Osmane është e regjistruar me emrin Xhamia Gylfem Hatun ( Libri 757, fq. 11-12). Por nëse marrim parasysh regjistrimet në librin 757 Evkaf Kuyyudi Kadimesi , ndërtimi i kësaj Xhamie përkon me vitin 1226. Megjithatë në dokumentet e Bashkësisë Islame raportohet se xhamia është ndërtuar në vitin 1697. Në bazë të gojëdhënave këtë xhami nuk e ka ndërtuar Gylfem Hatun, por burri i saj i cili ishte Pashë dhe pas vdekjes në emër të saj i është ngritur tyrbja mbi varr, si rrjedhojë edhe xhamia morri emrin Gjylfatyn. Objektin e karakterizon në njëfarë mënyre arkitektura e xhamive të tipit lokal të cilat janë ndërtuar nga vendasit. Xhamia ka shërbyer për faljen e namazit të sabahit, akshamit dhe të jacisë, funksion që vazhdon të kryej edhe sot. Në anën e djathtë të xhamisë gjendet e varrosur Gylfem Hatun, mbi varrin e së cilës është ndërtuar Tyrbja Struktura e ndërtimit është prej murit të përzier (gurë-tulla) nga materiali guror molloz dhe tullave të argjilës së pjekur, të suvatosura me ngjyr të bardhë. Ndërtesa ka etazhitet P+1, me bazë drejtkëndëshe me dimensione 16mX 10m. Planimetria e saj përbëhet nga salla e lutjeve, hapësira hyrëse dhe minarja. Karakterizohet me kupolë të brendashkruar me konstruksion te drurit e cila mbulohet me çati katërujore. Në Hapësiren qendrore për lutje hyhet nga dera metalike me dy krah e suvatuar me të bardhë. Në brendësi 2,70 m gjendet mafili i vendosur mbi katër shtylla të betonit dekoruar me rrethojë nga druri. Nga e majta gjendet dalja për në minare. Xhamia posedon gjithsej 18 dritare. Në nivelin e parë të gjitha dritaret kanë formë katërkëndëshe, gjithashtu edhe pjesa dërmuese e dritareve të nivelit të dytë kanë formë të njëjtë veçanërisht në fasadën ballore, përderisa në nivelin e dytë ndeshim edhe dritare harkore. Minarja është e ndërtuar mbi bazë me gurë katror. Nga jashtë është e suvatuar dhe trupi i saj është i thjeshtë. Nën sherefe ka stalaktit të imituar. Kapaku është nga plumbi kurse alemi nga bronzi. Tyrbja është e ngjitur me xhaminë por ka konstruksionin e vet të pavarur. Objekti me etazhitet P+1 është ndërtuar nga guri, mbuluar në formë kupole me tegolla të gjelbërta. Planimetria e saj shtrihet në dimensione 5.46 x 4.95m. Hapjet në fasada janë gjysmëharkore. Dera metalike ka kornizë harkore nga guri, gjithashtu edhe dritaret kanë formë të njejtë. Varri i Gjylfatynit përmban gurin mbivarror (nishanin) me mbishkrim të skalitur , si dhe Kuburin që është I punuar nga druri në formë gjysmë harkore, dhe I ngritur 60 cm nga baza, me mbishkrim në gjuhën osmane-turke. Tyrbja u dogj në vitin 2015 thuaja tërësisht, në rrethana të panjohura gjer tani. Shkalla e djegies ishte shumë e rëndë, ndaj vazhdon të jetë jashtë funksionit. Në oborrin e madh të xhamisë gjendën 50 varre që i përkasin harkut kohor mes shekujve XVI dhe XIX. Në hyrjen e majtë të xhamisë gjendet shatërvani tetë këndor i ndërtuar rishtas. Xhamia posedon një kopsht shumë të bukur. Përgjatë kohëve, sipas njohurive të gjertanishme, xhamia ka pësuar transformime Në vitet e mëvonshme në saje të nevojave të këtij tempulli fetar, xhamisë i është shtuar edhe një pjesë në anën veriore. Po ashtu edhe dritaret kanë pësuar transformime, ngase në të kaluarën kanë qenë harkore. Ndërsa tashmë pjesa dërmuese e tyre kanë ndryshuar forme. Xhamia gjatë luftës së fundit (1999) është demoluar e plaçkitur nga brenda. Përveç kësaj në muret brenda xhamisë nga ana e paramilitarëve Serb ishin shkruar parulla të ndryshme nacionaliste. Por pas luftës, me ndihmën e komunitetit është restauruar dhe është hapur për namaz. Edhe sot vazhdon ta kryej të njëjtin funksion. ________________________________________________________________________ 1. Bashkësia Islame e Kosovës: Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë shkurt 1998-qershor 1999, Prishtinë 2000. 2. MKRS-Prishtinë: Trashëgimia e evidentuar e Kosovës, Prishtinë 2005. 3. IMM-Pejë: Monumentet kulturo-historike në Pejë, Pejë 2006. 4. IMM-Pejë: Trashëgimia e evidentuar në Rajonin e Pejës, Pejë 2009, 5. BIP-Pejë: Xhamitë e Pejës, material i përgatitur e përkthyer nga Mr.Muhamed Mavraj