Shtëpi Banimi Pilingjurka

Statusi


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përhershme Data e Mbrojtjes: 948/55


Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012



Historiku


Shtëpia e Pilingjurkajve (Tahirbegollëve) Në afërsi të kodrës “Tabie” në Pejë, në lagjen Jarinë gjendet Shtëpia e vjetër qytetare, e quajtur Shtëpia e Pilingjurkajve. Ky ndërtim si objekt banimi është realizuar nga mjeshtër popullorë shqiptarë në shekullin XIX. Monumenti paraqet një ndërtesë mjaft të rrallë të arkitekturës tradicionale të qytetit. Objekte të ngjashme kemi pasur vetëm në qytetin e Pejës, mirëpo shumica e tyre janë shkatërruar gjatë luftës, andaj Shtëpia e Pilingjurkajve (Tahirbegollëve) ka ngelur thuajse e vetmja e këtij lloji, përderisa në qytetet tjera të Kosovës ndërtesa të llojit të njëjtë nuk ka. Ka planimetri kënddrejtë. dhe i takon tipit në formë të shkronjës L, me dimensione 11.50 x 9.40 dhe me me etazhitet P+1. Ndërtesa dy katëshe me konstrukcion nga druri e ndërtuar nga qerpiçët, druri dhe guri ka arkitekturë tipike qytetare Struktura e mureve masive (80-90 cm) është e përzier me gurë, dru, qerpiçë të lidhur me llaç balte. Drugdhendjet dallohen kryesisht në pjesën e çardakut, e në pjesën e hamamxhikut. Përdhesa ka planimetri me formë drejtkëndëshi, aty bën pjesë hajati i hapur nga ku komunikohet me katin, çardakun, banjon dhe 2 kthinat e tjera të cilat shfrytëzohen si dhoma ndeje për banorët. Nga ky etazh përmes shkallëve bëhet lidhja me katin e shtëpisë, i cili është i organizuar sipas kësaj renditjeje: dhomat e gjumit dhe oda mysafirëve. Në anën e majtë të ndërtesës gjendet çardaku me konzollë, i mbështetur mbi shtyllat e drurit. Çardaku është i theksuar, gjë që është edhe karakteristikë e shtëpive tradicionale. Shtëpinë e karakterizojnë dyer dhe dritare me formë drejtkëndëshi të dimensioneve të ndryshme të punuara nga materiali i drurit me profile të gdhendura. Ky monument përveç vlerës arkitektonike ka edhe vlera artistike, estetike e dekorative në enterierin e saj. Karakteristikë e këtij monumenti është konzola shumë shkallore me largim nga skajet. Kulmi katër ujor është i mbuluar me qeramidhe. Mbi çati është baxha me oxhaqe të cilat e thyejnë monotoninë e çatisë. Pas ndërhyrjeve restauruese pas luftës nga familjarët dhe adaptimeve të bëra për nevojat e jetesës (meqë shtëpia shfrytëzohet për banim nga familja Tahirbegolli) monumenti ka humbur pak nga origjinaliteti, mirëpo gjendja burimore është ruajtur në masë të konsiderueshme. Shkalla e dëmtimit është e vogël pasi që shtëpia ka pësuar ndryshime jo të theksuara. Me përjashtim të dyshemesë, kulmit dhe mobileve të brendshme. Në vitin 2012 është rindërtuar kulmi nga CHwB-ja dhe tashmë është në gjendje të mirë. Karakteristikë e këtij monumenti është konzola shumë shkallore me largim nga skajet. Objekte të ngjashme kemi pasur vetëm në qytetin e Pejës,por shumica janë shkatërruar gjatë luftës, andaj ky monument ka ngelur thuajse i vetmi i këtij lloji, ndërsa në qytetet tjera të Kosovës ndërtesa analoge nuk ka. Në aspektin e ruajtjes së autenticitetit, vlerësojmë se kemi të bëjmë me një ekzemplar mjaft të ruajtur dhe integritet të pa cenuar.



Emërtimet dhe Referimet


Numri Unik: 001130


Emri: Shtëpi Banimi Pilingjurka


Klasa: Monument


Institucioni: QRTK – Pejë



Lokacioni


Shteti: Kosove


Komuna: Pejë


Qyteti/Fshati: Qytet Pejë


Lokaliteti: Pejë


Kodi Postar: 30000


Emri i rrugës: Rr. Ahmet Gjikolli



Lloji funksional dhe datimi


Lloji (Tipi): Arkitektuale


Periudha: Moderne


Shekulli: XIX