MEJTEPI I HAXHI YMERIT
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor-2012, Tetor 2013,-Tetor 2014
Historiku
Mejtepi i Haxhi Ymerit është objekt në kuadër të kompleksit të Xhamisë së Haxhi Ymerit dhe siç tregon emri gjendet në mëhallën e Haxhi Ymerit. Objekti është i vendosur përballë hyrjes së xhamisë. Në funksionin primar të tij mejtepi shërbente për edukimin e nxënësve në mësimin fetar (mysliman), por më vonë ai u përdor për veprimtari të ndryshme si shtypshkronjë, ndërsa gjatë viteve ’90, aty është mbajtur mësimi nga nxënësit e shkollave të mesme. Objekti i mejtepit zhvillohet në dy etazhe. Në përdhese në vite kemi pasur disa intervenime joprofesionale siç është zgjerimi i hapjeve me qëllim ndriçimi të hapësirës së përdheses. Objekti është ndërtuar nga materiali gurë dhe qerpiçë. Në pjesën jugore, nga xhamia, kemi një dalje anëcaku prej 60 cm, i cili me kohë në mes ka pësuar një devijim të dukshëm, dhe mbi të një rend dritaresh, 7 hapje. Si në objektin e xhamisë ashtu edhe mejtepin e karakterizon streha e gjatë mbi 1.30 m, që është në dukjen origjinale të saj e pa mbuluar. Konstruksioni ndërkatësh është nga trarëzat e drurit, me dysheme nga dërrasat dhe tavan të dekoruar. Edhe streha në pjesën perëndimore, nga rrugica, ka pësuar një deformim. Ndërrimi i destinimit ka bërë që në objekt të ketë intervenime joprofesionale që e dëmtuan objektin. Në vitin 2014 janë kryer punime konservuese – restauruese në objektin e mejtepit, si në enterier ashtu edhe në eksterier. Duke e ruajtur origjinalitetin e këtij objekti, me përjashtim të hapjeve në përdhese, që kanë ngelur të rikthehen në gjendjen origjinale në një fazë tjetër të intervenimit.