Kisha e Shndërrimit në Bostan
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2021
Historiku
Në qendër të fshatit Boston, në jug të Artanës (Novobërdës), gjendet kisha e Shndërrimit. Sipas banorëve të fshatit dhe priftit të kishës, kjo kishë është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek XIX, ndërsa është rikonstruktuar në vitin 1987. Këtë e dëshmon edhe tabela e vendosur në mur. Si strukturë kisha është një anijatëshe dhe ka planimetri drejtkëndëshe. Përveç kryqit në ikonostas, kisha nuk ruan ndonjë objekt origjinal në enterier. Përveç ikonostasit, në anën e majtë të hyrjes në kishë, në mur, në një ngritje mbi 1 m nga dyshemeja janë të radhitura korniza me piktura të shenjtorëve të ndryshëm. Mbi dhe nën piktura janë të vendosura punime dore të qëndisura nga gratë. Nga gjendja fillestare e kishës nuk janë ruajtur pikturat murale e as ikonat. Banorët e fshatit Izvor dëshmojnë se materiali për ndërtimin e kësaj kishe është marrë nga kisha e Izvorit. Ndërtimi është realizuar nga gurët e latuar dhe gjysmë të latuar, ku dominojnë nuancat e ngjyrës kafe. Dritaret janë të përmasave të vogla, disa kanë formë katrore dhe disa në pjesën e sipërme janë punuar në formë gjysmëharku. Dyert janë të punuara prej druri dhe kanë formën e gjysmë harkut. Korniza e tyre është e ndërtuar me gurë të latuar, ku në pjesën e sipërme janë të gdhendur në formë harku. Në oborr gjendet një fontanë e punuar prej guri e cila ka të gdhendur kryqin. Gjithashtu gjendet edhe një varr, një objekt ndihmës si dhe kambanorja. Oborri është i rrethuar me mur nga guri, ku vlen të theksohet edhe porta e vjetër hyrëse, dy krahëshe e punuar nga druri, me dorëzën e vjetër nga metali. Jashtë kompleksit të kishës gjenden edhe varrezat e fshatit të ritit ortodoks. Opinion nga ekipi i QRTK-së, Gjilan, me rastin e vizitës në nëntor të vitit 2021: Në komunën e Artanës vizituam edhe manastirin e Shndërrimit në Boston. Në këtë objekt nuk patëm qasje brenda dhe nuk patëm mundësi të fotografojmë dhe të bëjmë incizimin.Ndërsa vetëm nga jashtë bëm fotografimin e objektit.