Konaku i Haki Spahiut
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Inventarizuar Data e Mbrojtjes:
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Historiku
Konaki i Haki Spahiut Konaku i Haki Spahiut është pjesë përbërëse e kompleksit të familjes së Spahive, që ndodhet në pjesën perëndimore të qytetit të Pejës, në afërsi të Pehlivan Mejdanit. Në të kaluarën pos Konakut në kuadër të kompleksit të banimit ishin edhe disa ndërtesa përdhese. Konaku është ndërtuar në vitin 1908 dhe i takon variantit të shtëpive me qoshk. Është ndërtuar, nga familja e Spahive (vetëm deri në fazën e mbulimit me kulm pa punë zdruktharie). Më pas është blerë nga familja e Mahmutbegollve si një familje më rëndësi në Kosovë (pasardhës të familjes së Dukagjinasve sipas prof. Skënder Riza), e cila ka bërë finalizimin e punimeve. Është shtëpi e vjetër qytetare e tipit me ballkon që del në formë doksati në fasadën ballore. Në arkitekturën, tipologjinë, skemën kompozicionale konstruktive dhe funksionale të kësaj ndërtese banimi vërehen ndikimet e ndërtimeve të shekujve të mëparmë të realizuara në këtë qytet. Shtëpia ka dimensione 13.27 m x 11.34m, poashtu përfshin edhe një aneks me dimensione 6.6m x 2.82m, dhe ka lartësi prej 5.8 m. Konstruksioni është bondruk dhe mbulesa është me tjegulla tradicionale. Hyrja e vetme origjinale për në shtëpi të çon në hollin e katit përdhese. Menjëherë pas hyrjes, në të djathtë zënë fill shkallët njëkrahëshe që të çojnë në kat. Në të dy anët e hollit gjenden nga dy mjedise simetrike ndaj boshtit në drejtimin e hyrjes. Në kat, në pjesën qendrore, në një skaj është i ndërtuar qoshku katërkëndor kënd drejtë. Të katër mjediset, dy nga dy anash hollit përputhen me ndarjet e katit përdhese. Në ballë të hollit gjendet nyja sanitare. Ndërtesa është e realizuar në sistemin masiv mbi bazë gurësh me qerpiçë, suvatuar me gëlqere të bardhë. Këndet e shtëpisë janë të përpunuara me stuko në formë gurësh me trajtim rustik. Shtëpia veçohet me shtrirje horizontale me dritare drejtkëndore të punuara nga druri dhe hapje të shumta në dukjen ballore. Konaku ka pësuar ndryshime në vitin 1979, me ç’rast është shtuar një hyrje dhe aneks në katin përdhese. Konaku përdoret për banim dhe është në gjendje jo të mirë. Është ndër ndërtesat e vjetra të pakta në qytetin e Pejës që i kanë shpëtuar shkatërrimit gjatë luftës së fundit 1998/99. Gjendja fizike e ndërtesës është relativisht e mirë,dhe ka ruajtur shumë elemente origjinale. Megjithatë në saje të vjetërsisë në ndërtesë vërehen shembjet e pjesshme (është fjala për dyshemetë. Po ashtu fasada është mjaft e dëmtuar.