Xhamia e Gërmovës
Statusi
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: Tetor 2012
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 01.10.2014
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 09.10.2015
Lloji i Mbrojtjes: Nën mbrojtje të përkohshme Data e Mbrojtjes: 2021
Historiku
Xhamia e Gërmovës ndodhet në fshatin Gërmovë të komunës së Vitisë. Supozohet që është ndërtuar diku në vitin 1827, edhe pse në disa shënime përmendet shekulli XIV, e diku edhe viti 1447. Xhamia e parë, përkatësisht kati i parë i saj, siç mbajnë mend pleqtë e fshatit, ka qenë e ndërtuar prej thuprash të lyera me llaç balte. Muratimi me qerpiçë është bërë më vonë, si dhe në vitet 1969-1970 është ndërtuar edhe kati i dytë i xhamisë. Po në këtë kohë është punuar edhe kulmi i saj nga mjeshtri popullor Ali Tërziqi nga Pozherani. Xhamia ka bazë katërkëndëshe, me sipërfaqe prej 7.35 x 11.40 m. Themelet e xhamisë janë punuar me gurë, ndërsa muret me qerpiçë. Kulmi i xhamisë është katërujor. Xhamia i takon tipit të xhamive lokale. Ajo nuk ka minare. Xhamia ka gjithsej 9 hapje katrore. Niveli i dritareve është i ndryshëm. Në enterier në sallën e lutjeve dallohet mihrabi, minberi dhe mahvili. Mihrabi është i kthyer kah Kibla. Ka ngjyrë të bardhë sikurse edhe muri, por në të dy anët e tij është i stilizuar me lule të ndryshme. Mendohet që dikur lulet e gravuara në mihrab kishin ngjyrë tjetër. Punimi i minberit dhe i mahvilit është realizuar nga druri i bungut. Parmakët e mahvilit i ka punuar drugdhendësi mulla Mehmeti nga Smira, ndërsa plafonin e ka punuar haxhi Nazim Buzhala, gjithashtu drugdhendës. Minberi është i ndarë nga muri, sikundër ndodhte me të gjitha xhamitë në kohë. Në mimber ka kryesisht punime gjeometrike, ndërsa në anën e dukshme, kah qendra e sallës së lutjeve, ka qenë i punuar edhe një yll me gjashtë cepa, si ylli i Davidit, por që tani është prishur. Mahvili është ndërtuar në vitet 1969-1970, dhe qëndron mbi tri shtylla me kapitel. Është i shtruar me dërrasa, ndërsa parmakët kanë formë të halave të peshkut, ose më saktë janë si një përsëritje e gjysmëhënës (hëna në formë drapri). Në oborrin e xhamisë janë të ruajtur edhe dy gurë me mbishkrime, që u zbuluan në themelet e hajatit të xhamisë. Supozohet se kemi të bëjmë me një shkrim shumë të vjetër (stili i shkrimit pa ndërprerje), pasi që së bashku me këta dy gurë është gjetur edhe një altar i papërpunuar. Shkronjat në këto mbishkrime janë mjaft të dëmtuara, dhe është me interes shkencor që ky mbishkrim të studiohet dhe të mbrohet. Ndërtimi i xhamisë së re afër të vjetrës, i ka zbehur vlerat e xhamisë së vjetër gati dyqindvjeçare. Opinion nga ekipi i QRTK-së, Gjilan, me rastin e vizitës në nëntor të vitit 2021: Duke pasur parasysh stilin e ndërtimit, kohën nga e cila daton (viti 1827.), vlerat shpirtërore, ekipi jep vlerësimin e tij se ky objekt duhet të mbesë në LTKMP. Ne vitin 2021 QRTK e Gjilanit ka hartuar projektin per renovim te objektit, derisa në fund te vitit 2021, me financimin e MKRS-se në Prishtinë, në bashkëpunim me QRTK-në në Gjilan, është bërë renovimi i objektit.